“E shoh të natyrshme nevojën e shpërnguljes së përkohshme në një salle provizore, siç është ajo e Turbinës, në mënyrë që Kombëtari të rindërtohet sa më shpejt”.
Me kete perfundim, aktorja Elia Zaharia, bashkeshortja e Princ Lekës ka reaguar pas debatit te madh qe ka sjelle perplasjen mes komunitetit te artisteve dhe ministrise se Kultures, lidhur me godinen e re te Teatrit Kombetar.
Nderkohe qe aktoret jane njezeri kunder levizjes te Turbina, per sa kohe nuk kane asnje informacion lidhur me projektin dhe cfare do te behet nderkohe ne godinen ekzistuese, Zaharia, thekson se “Në pritje të projektit për Teatrin e ri Kombëtar, që i gjithë komuniteti e pret me padurim, mendoj se është në dobinë tonë të kemi edhe alternativa të tjera si ajo e Turbinës”.
Reagimi i Elia Zaharia
Kam ndjekur me shumë vëmendje debatin e ditëve të fundit lidhur me Teatrin Kombëtar. Do dëshiroja të shihja më shumë ndërveprim mes palëve, pasi kam bindjen që bashkarisht mundemi ti japim zgjidhje problemeve. Të gjithë jemi të interesuar ti ofrojmë shoqërisë shqiptare një shërbim të shëndetshëm kulturor! Ndaj bëj thirrje të gjejmë parimet që na bashkojnë dhe mbi to të ndërtojmë një dialog të vazhdueshëm konstruktiv.
Uroj që komuniteti teatror si edhe të gjithë shqiptarët, të gëzojnë sa më shpejt një Teatër Kombëtar dinjitoz, një godinë me parametrat e duhur në këtë truall ku ka traditën dhe historinë. Them Kombëtar pasi ne jemi vendi Amë për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë! Tradita dhe lidhja shpirtërore e Teatrit me publikun e tij është pazgjidhshmërisht e lidhur me këtë hapësirë që ne kemi trashëguar! Në pritje të projektit për Teatrin e ri Kombëtar, që i gjithë komuniteti e pret me padurim, mendoj se është në dobinë tonë të kemi edhe alternativa të tjera si ajo e Turbinës. Madje kryeqyteti duhet të ketë gjithmonë e më shumë teatro.
Përsa i përket Operas dhe Baletit, ata janë artistë njësoj si ne, në pritje të restaurimit të shtëpisë së tyre artistike, dhe sigurisht ne ia kemi hapur dhe është njerëzore të vazhdojmë ta hapim derën për shfaqjet dhe performancat e tyre artistike në Teatrin Tonë.
Sigurisht dëshiroj që trupa e aktorëve të punojë në kushte sa më optimale që për hir të së vërtetës godina e sotme nuk i ofron, përkundrazi…Ndaj e shoh të natyrshme nevojën e shpërnguljes së përkohshme në një salle provizore, siç është ajo e Turbinës, në mënyrë që Kombëtari të rindërtohet sa më shpejt. Ky është një “mërgim” i dhimbshëm, por i detyruar, në pritje të shtëpisë sonë të re artistike.


