Rëndohet situata nga përmbytjet. Pas problemeve në zonat rurale, prej ditës së djeshme uji ka ‘pushtuar’ edhe qytetin. Sot në lagjen ‘Ajasem’ mund të lëvizet vetëm me varka, pasi rritja e prurjeve nga reshjet e shiut ka bërë që uji të futet në qytet dhe të paralizojë lëvizjen normale.
Në rrugë mund të qarkullohet vetëm me varka, ndërsa shumë banesa janë të rrethuara nga uji. Në zonat rurale, situata vijon që të jetë e njëjta, prej 19 ditësh në Obot dhe fshatra të tjerë të Njësisë Ana e Malit, por edhe zona të tjera janë mbi 3 mijë hektarë tokë të përmbytura dhe 100 banesa të rrethuara nga uji. Në disa zona është e pranishme edhe ushtria, ndërsa bashkia Shkodër vijon që të kërkojë shpalljen e emergjencës.
Problematik shfaqet dhe segmenti rrugor Shkodër-Velipojë. Prania e madhe e ujit ka bllokuar hyrjen e rrugës së Dajçit, duke paralizuar lëvizjen e automjeteve, transportin e arsimtareve në shkolla dhe stafit shëndetësor. Ky i fundit ka hyrë në fshati Dajç me anë të automjeteve të larta të Ushtrisë. Ndërkohë, situata është duke precipituar me shpejtësi.
Deri më tani janë evakuuar 5 familje me 23 banorë. Gjithashtu, janë transportuar nga fshati Obot për në Oblikë 65 banorë, 50 nxënës dhe 15 banorë. Ministria e Mbrojtjes ka dërguar 18 tonë koncentratë dhe 5 mijë thasë për përforcimin e argjinaturës në Pentar, si dhe 500 pako ushqimore.
Situata në Bashkinë Shkodër
Rreth 157 banesa kanë prezencë uji dhe 9 shtëpi janë të përmbytura. Në zonën e Livadheve janë të përmbytura 80 ha.
Kampi i romëve pranë Prokurorisë Shkodër është i përmbytur. Bashkia Shkodër ka zhvendosur fëmijët në Qendrën Komunitare Nr 4. Ndërkohë në bashkëpunim me Forcat e Ushtrisë, me dy kamionë është bërë evakuimi i të rriturve në strehimin përkatës në Bërdicë.
Me ndihmën e Forcave të Ushtrisë po merren masa për forcimin e argjinaturave. Nga DRMSH janë dërguar rreth 5000 thasë me rërë të cilët po përdoren për forcimin e argjinaturave. Njësia Administrative Dajç: janë mbi 940 ha tokë e përmbytur.
Në fshatin Shirq janë të bllokuara nga uji 28 familje, në fshatin Mushan 4 familje dhe në fshatin Darragjat 4 familje. Në 3 banesa ka prezencë uji. Është kërkuar të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit dhe është bërë ndërhyrje e përforcimit me thasë më rërë.
Njësia Administrative Ana Malit: Mbi 1200 ha tokë janë të përmbytura. Në Obot kalohet vetëm me varka. Rrugët e fshatit Goricë janë të pakalueshme për automjetet. Në 3 banesa në Obot, 7 banesa në Muriqan dhe 4 banesa në lagjen Gallube ka prezence uji.
Njësia Administrative Bërdicë: janë mbi 530 ha tokë të përmbytura.
Njësia Administrative Velipojë: janë mbi 100 ha tokë të përmbytura.
Njësia Administrative Rrethina: janë 70 ha tokë të përmbytura.


