Prokuroria e Durrësit ka nisur hetime kryesisht për të zbuluar shkaqet që çuan në përmbytjet masive në qytetin bregdetar. Hetimet kanë nisur për 3 vepra penale, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”. Një vendim i tillë, bëjnë të ditur burime nga Prokuroria e Durrësit, u mor fill pas dyshimeve se Astrit Hysenaj, punonjësi i Ndërmarrjes Komunale, vdiq pasi e mori rrjedha e kanalit pranë Repartit ushtarak në zonën e plepave.
Organi i akuzës thotë se gjendja e krijuar 2 ditë më parë nga përmbytjet, pengoi “zhvillimin normal i aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun” dhe se në këto kushte ka të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal.
Prokuroria e Durrësit thekson se do të jetë hetimi ai që do të përcaktojë nëse shkaqet e përmbytjes kanë qenë natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore.
Foto me dron nga përmbytjet në Durrës
Situata në qarkun e Durrësit mbetet kritike nga përmbytjet, sidomos në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, ku përmbytja erdhi edhe nga rritja e prurjeve të lumit Erzen, duke rënduar më tej situatën. Emergjencat civile urdhëruan evakuimin e detyrueshëm të banorëve.
Zona e ish-Kënetës, Shkozeti, Spitalla po vuajnë pasojat e përmbytje së dy ditëve më parë. Në terren, shihen kanalet kulluese të bllokuara nga inertet, dherat dhe mbetje urbane, një shkak që dyshohet se ka çuar edhe në përmbytjet. Në vend që të përcjellin ujin drejt detit ato janë kthyer në barriera pritëse.
Ka dyshime të forta se hidrovori i ri i ndërtuar në 2022 në Porto Romano nuk ka funksionuar me kapacitet të plotë. Sipas opozitës ai është ndërtuar mbi nivel dhe nuk garanton thithjen dhe evakuimin e ujit në kohë reale. Këto pretendime mbeten për t’u faktuar përmes ekspertizave teknike.
Foto nga plehrat në kanale kulluese
Opozita e cilëson situatën “katastrofë të shkaktuar nga dora e njeriut”, duke folur për mbi 30 milionë euro investime korruptive në Durrës, për të cilat Ilirjana Kuçana e PD-së, depozitoi këtë të enjte, një kallëzim në SPAK.
Në ditën e tretë të përmbytjeve në Durrës, përllogariten mbi 1 mijë banesa të përmbytura, 335 biznese të dëmtuara. Po kështu mbi 350 banorë janë evakuuar dhe po strehohen përkohësisht në Konvalishence.


