Një borxh i papaguar prej rreth 500 eurosh u bë shkak i përleshjes së dhunshme mbrëmjen e së mërkurës jashtë lokalit La Musa në lagjen Fiera të Trevisos dhe i kushtoi jetën Ragip Kolgecit.
52-vjeçari nga Kosova rezulton punëtor ndërtimi në Itali, i specializuar në montimin e skelave.
Gjithashtu gjatë sherrit të përgjakshëm kanë mbetur të plagosur edhe gjashtë persona të tjerë.
Disa orë pas vrasjes së Ragip Kolgecit në pranga u vendosën dy autorët e dyshuar të krimit, Vlamir Gashi 32-vjeç, që po hetohej për një tjetër vrasje, i cili u kap pak metra larg banesës së tij, si edhe Afrim Manxhuka, 50 vjeç, mjeshtër gipsi, që ndodhet në spitalin në Oderzo, në gjendje kritike për jetën.
Dy të arrestuarit akuzohen për përleshje të rëndë dhe vrasje me dashje.
Sipas hetimeve paraprake, Regip Kolgeci u plagos me një thikë të vogël në bark, por goditja që rezultoi fatale është ajo e shkaktuar me tub metalik në zverk.
Pritet rezultatet e autopsisë për të zbuluar më shumë rreth vdekjes së 52-vjeçarit. Ndërkohë vijojnë hetimet për identifikimin e protagonistëve të tjerë të përleshjes, rreth 20 persona ku vetëm 7 prej tyre, disa prej të cilëve u detyruan të kërkojnë kujdes mjekësor, kanë emër dhe fytyrë.

Si ndodhi përleshja
Dy grupet, pothuajse të gjithë punëtorë ndërtimi me origjinë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, u takuan për një borxh që djali i viktimës kishte marrë. Por ata shkuan në takim të armatosur. Mes palëve ka pasur bisedime edhe në ditët e mëparshme por pa ndonjë marrëveshje.
Në momentin kur mbërritën në vendtakim filloi përleshja mes tyre. Disa prej personave të përfshirë u futën në lokal para se dera të mbyllej dhe u larguan nga pjesa e pasme duke dalë nga dritare.
Ata u zhdukën drejt Restera, ndërsa të tjerë të plagosur u dërguan në spital.
Avokati i Valmir Gashit, Mauro Serpico, u shpreh: “Ai mbërriti në vendin e sulmit kur Regip Kolgeci ishte tashmë në tokë. Prandaj mohon çdo përgjegjësi”.
Por hetuesit e arrestuan falë disa dëshmitarëve dhe pamjeve të kamerave të vëzhgimit të vendosura në zonë, që inkuadruan 32-vjeçarin.



