Në rubrikën tonë të përditshme “Spring në Alpe” kemi zgjedhur t’iu sjellim pamje nga Shiroka e bukur dhe jo vetëm.
Shiroka është një nga fshatrat më të bukur në vend, dhe është si një “magnet” për turistët dhe vizitorët, pasi natyra e qetë dhe e bukur ështe një nga elementët kyç, që turistët zakonisht kërkojnë.
AlpeNews.al ju sjell pamje nga Shiroka në këtë pranverë.
E gjendur vetëm katër kilometra larg qytetit të Shkodrës, në bregun e Liqenit të Shkodrës dhe rrëzë malit të lartë të Taraboshit, pika turistike e Shirokës është padyshim një nga joshjet më të veçanta që të ofron një fundjavë për të qenë pranë saj. Dikur, që para çlirimit ajo ishte pika turistike dhe plazhi më i populluar për shkodranët.
Një fundjavë në Shirokë kalohet shumë këndshëm, se, përveç klimës dhe ajrit të pastër që filtrohet nga freskia e liqenit dhe pishat e Taraboshit, ka brenda saj edhe kënaqësinë e të shijuarit të një dreke në lokalet e shumta që janë ndërtuar vitet e fundit në hapësirën turistike të kësaj zone. E këto lokale, që të shoqërojnë që prej momentit që ke lënë pas Urën e Bunës dhe deri në qendrën e zonës së Zogajve, atje ku mbaron hapësira turistike e bregut të liqenit të Shkodrës, këtë vit kanë qenë të mbipopulluara.
Shiroka nuk është e bukur në verë, ajo është e bukur në çdo stinë. Është kjo arsyeja që aty disa herë janë hedhur fonde për investime, por që, çuditërisht, nuk është bërë asgjë. Bashkia e Shkodrës mesa duket nuk ka arritur të vlerësojë potencialin turistik ,që ajo mbart.
Përgatiti; AlpeNews.al








