Rusia ka mohuar se ka informuar Presidentin amerikan Donald Trump për tërheqje të personelit ushtarak nga Venezuela, duke përgënjeshtruar një koment të bërë nga Trump në rrjetin social twitter.
‘U befasova kur e lexova, nuk kemi njoftuar askënd. Me sa duket ai ka lexuar një artikull të gazetës ‘The Wall Street Journal’, tha ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, duke iu referuar një komenti të bërë më 3 qershor nga presidenti Trump.
Në muajin mars presidenti Trump tha se Rusia ‘duhet të largohet’ nga Venezuela duke iu referuar zbarkimit të avionëve rusë me furnizime e personel teknik për të ndihmuar Presidentin Nikolas Maduro i cili ndodhej në mesin e një grushti shteti organizuar kundër tij.
Shtetet e Bashkuara kërkojnë rrëzimin e Nicolas Maduros, i njohur si aleat i presidentit rus Vladimir Putin, ndërsa mijëra qytetarë venezuelianë kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër regjimit të tij.
Në një postim në rrjetin social Twitter, Presidenti Trump shkruante se Rusia kishte informuar Shtetet e Bashkuara se kishte larguar shumicën e personelit rus nga Venezuela.
Postimi erdhi një ditë pasi gazeta ‘The Wall Street Journal’, e cila citonte një burim të paidentifikuar pranë ministrisë ruse të Mbrojtjes tha se Moska kishte tërhequr shumë prej personelit ushtarak nga Venezuela.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se Rusia nuk e kishte njoftuar Uashingtonin për një vendim të tillë, duke shtuar se specialistët rusë po vazhdojnë të punojnë në Venezuelë.