Bullgarët po hedhin votën e tyre në zgjedhjet e pesta të përgjithshme në dy vjet, duke shpresuar t’i japin fund destabilitetit politik dhe të ndihmojnë në kapërcimin e vështirësive ekonomike të nxitura nga lufta në Ukrainë.
Qendrat e votimit u hapën në orën 7 të mëngjesit dhe rezultatet fillestare të exit poll-it do të shpallen pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 20:00. Pjesëmarrja pritet të jetë e ulët për shkak të zhgënjimit të votuesve me politikanët, të cilët nuk kanë arritur të formojnë qeveri të qëndrueshme dhe të ofrojnë qeverisje në një nga vendet më të varfra dhe më të korruptuara anëtare të BE.
Sondazhet e fundit tregojnë për një garë të ngushtë midis partisë GERB të kryeministrit Bojko Borisov dhe partisë liberale “Ne Vazhdojmë ndryshimin” të ish-kryeministrit Kiril Petkov. Të dyja partitë kanë marrë 26% të votave.
Pushtimi i Rusisë ndaj fqinjit të saj perëndimor ka thelluar krizën politike që ka përfshirë Bullgarinë që nga viti 2020, paqëndrueshmëria më e rëndë që nga rënia e komunizmit.
Më shumë se 5.600 kandidatë që përfaqësojnë 14 parti politike dhe shtatë koalicione partiake kanë kandiduar për të zënë 240 ulëset në Asamblenë Kombëtare, parlamentin e Bullgarisë. Një parti duhet t’i sigurojë të paktën 4 për qind të votave për të fituar ulëse në parlament.
Bullgaria është qeverisur kryesisht nga qeveritë e përkohshme të emëruara nga presidenti Rumen Radev. Kjo pasi zemërimi i grumbulluar për vite të tëra për korrupsion u shndërrua në protesta masive në vitin 2020. Kriza politike e ka shtyrë Bullgarinë të shtyjë miratimin e euros si valutë deri në vitin 2025. Vendi ballkanik me afro 8 milionë banorë, i dyti më i korruptuari në BE sipas Transparency International, po lufton gjithashtu me inflacionin e rritur që po pengon rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia Covid 19. Bullgaria kishte normat më të larta të vdekshmërisë nga Covid 19 në BE, për shkak të përqindjes së ulët së të vaksinuarve.