Gazetari investigativ Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Pjaca” me Alfred Pezën në Radar media”, rrëfeu një episod që sipas tij tregon se si paratë e industrisë së krimit, kanë depërtuar në sektorin e ndërtimit në Shqipëri.
Hoxha tregoi se në vitin 2016 kishte komunikuar me Gramoz Rexhepin, i cili ndodhej në burgun e Kitos në Ekuador.
“Në vitin 2016 komunikova me shqiptarin më të famshëm në mediat ndërkombëtare që ndodhej në burgun e Kitos në Ekuador. I thashë: ‘Më jep një emër kompanie’. Ai më tha: ‘Mos u merr me ne’, por më dha emrin e një kompanie dhe më tha se brenda dy vitesh do të fuqizohej.”
Sipas gazetarit, parashikimi rezultoi i saktë.
“Në krye të dy viteve ajo ishte kompania më e madhe në kryeqytet. Kishte betoniere, sonda dhe flota e saj shkonte deri në 500 kamionë. Ai e dinte ku do të shkonin paratë e industrisë së krimit, por jo e gjithë industria ndërtuese varej nga këto para.”
Artan Hoxha shpjegoi se personazhe të botës së krimit fillimisht investuan në apartamente, bare dhe hotele, ndërsa më pas nisën të financonin me fajde kompanitë e ndërtimit që përballeshin me mungesë likuiditeti.
“U bënë të rëndësishëm kur bankat e nivelit të dytë e vështirësuan dhënien e kredive. Personazhet e botës së krimit blenë apartamente, bare e hotele dhe më pas u dhanë para me fajde ndërtuesve, duke pasur garanci se do t’i merrnin paratë ose kompaninë. Më vonë u futën aksionerë dhe u bënë pronarë.”
Gazetari komentoi edhe operacionet e fundit të SPAK-ut, duke thënë se ato kanë prekur disa nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit.
“Nga operacionet e fundit që bëri SPAK janë goditur disa nga kompanitë më të mëdha. Për Ilir Shtufin thuhej se kishte lidhje me djalin e Berishës, por unë kam thënë se ai ka pasur lidhje me çdo kryeministër të këtyre 30 viteve.”


