Diplomatja Yuri Kim, që është propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump për ambasadore në Tiranë do të dalë në një seancë dëgjimore para Senatit në datë 29 tetor.
Seancë dëgjimore ne komisionin e jashtëm të Senatit është pengesa e fundit përpara se Kim të marrë miratimin për të udhëtuar drejt Shqipërië në detyrën e re. Kim u propozua nga Trump në qershor për të zëvendësuar Donald Lu. Ajo është një diplomate karriere që ka mbajtur funksione të ndryshme dhe detyra të larta në shërbimin e jashtëm amerikan.
Ajo ka shërbyer gjithashtu si asistente speciale e ndihmës sekretarit të shtetit për Azinë Lindore dhe Paqësorin. Në këtë rol, ka qenë pjesë e delegacionit amerikan në bisedimet shumëpalëshe mbi programin nuklear të Koresë së Veriut.
Gjithashtu Kim ka qenë Konsulle Politike në Ankara dhe në Bagdad dhe anëtare e delegacionit të SHBA-së në bisedimet që synojnë denuklearizimin të Koresë së Veriut. Diplomatja Yuri Kim e propozuar nga presidenti Trump pritet të zërë vendin ambasadorit Donald Lu të larguar në maj të 2018-ës.