Aktivisja Evi Kokalari ka njoftuar ditën e sotme se do të distancohet nga politika në Shqipëri, për t’iu përkushtuar impenjimeve të saja të lëna në SHBA.
Por fill pas këtij postimi, ajo ka bërë një reagim të dytë në të cilin sqaron se qëndrimi i saj është keqkuptuar dhe se ajo nuk do ta braktisë Sali Berishën.
Sipas saj, mbështetja për Berishën është e pakushtëzuar që në orët e para të 19 Majit dhe e tillë do të mbetet deri në fund.
Kokalari thekson se ajo nuk është dorëzuar dhe se ne të ardhmen do të ketë plot surpriza.
“Mos e keqkuptoni largimin tim si braktisje të mbështetjes time ndaj Sali Berishas. Ajo mbështetje ka qënë e pakushtëzuar që në orët e para në 19 Maj, dhe e tillë do të mbetet deri në fund.
Atyre që ju gënjen mëndja se jam dorëzuar, dua t’ju them që nuk më keni njohur mirë këto muajt’ e fundit. Më vjen keq t’ju zhgënjej, por e ardhmja do ketë surpriza plot”, thekson Kokalari.
Posti i parë i Evi Kokalarit:
Kam vendosur të distancohem pak nga politika në Shqipëri. Megjithëse me mëndje dhe zemër jam aty ku vazhdon lufta për një opozitë të fortë, dua ti kthehem jetës time në Amerikë që kam që në Shtator që e kam lënë komplet mbas dore. Do vazhdoj të jem në komunikim të vazhdueshëm me anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, gjithsesi jo më aq aktive sa më parë. Me gjithë sulmet e katër muajve të fundit, një gjë është e padiskutueshme – miqësitë që kam krijuar në Tiranë vërtet më kanë ngrohur zemrën, dhe jo vetëm, mbështetjen që kam marrë nga njerëzit që kam takuar çdo ditë në rrugët e Tiranës dhe gjatë foltoreve, vërtet i kanë dhënë kuptim sakrificës së muajve të fundit.
Bashkëatdhetarëve të mi në Diasporë; dua t’ju them që populli ynë është i varfër, kështu që angazhohuni seriozisht se kanë vërtet nevojë për ndihmë. Lërini mërite dhe urrejtjen e së kaluarës dhe mbështesni ata që po luftojnë për ditë për të shpëtuar pluralizmin. Ndërkohë do vazhdoj të komunikoj opinionet e mia nëpërmjet medias sociale.
Duke ju falenderuar të gjithëve për mbështetjen tuaj,
Përzemërsisht,
Evi