Mijëra qytetarë nga e gjithë bota ditën e sotme bëhen pjesë e Pelegrinazhit në Malin e Shenjtë të Tomorrit. Festa e Shenjtë e Bektashinjve ka filluar që me datë 18 gusht dhe do të vazhdojë deri më 25 gusht, ndërsa dita e sotme është dita kulminante e këtij Pelegrinazhi. Çdo vit në Teqenë e Kulmakut rreth 300-400 mijë pelegrinë nga e gjithë Shqipëria, Diaspora e bota.
Një ditë më parë, nga Pelegrinazhi, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Edmond Brahimaj uroi të gjithë besimtarët në këtë ditë të shenjtë që të kenë paqe e dashuri mes njëri tjetrit. Baba Mondi, me shpresën se ditëve të pandemisë do t’iu vijë fundi, falënderoi edhe të gjitha bluzat e bardha për punën e përkushtuar që kanë treguar duke iu ardhur në ndihmë njerëzve.
Gjatë ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës,ku çdo pelegrin falet për shëndet,mirësi e paqe në familjet e tyre.
Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë,në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen. Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë duke kryer jo vetëm kurbanin e festës,por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorrit, i cili ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit.
Ditët e pelegrinazhit në Malin e Tomorrit përfundojnë në 25 Gusht, por kulmi i kësaj feste arrin në datën 22 dhe 23 Gusht.
Mali i Tomorrit konsiderohet i shenjtë, pasi në të prehet shenjtori i familjes së Profetit Muhamed, Abaz Aliu.
Për mbarëvajtjen e fluksit të lartë të qytetareve që shkojnë në peligrinazh Policia e Shtetit ka marrë masat duke rritur prezencën e saj në rrugë, me patrulla të lëvizshme, me alkooltestues, me kamera, dronë e aparate fotografik.


