Ish-nënkryetari i PD, Astrit Patozi, me shumë prej anëtarëve që dy vjet më parë krijuan Lëvizjen për Ringritjen e PD, vendosën të braktisin përfundimisht shtëpinë e tyre të vjetër politike dhe të krijojnë Partinë Bindja Demokratike.
Grupi nismëtar i partisë së re depozitoi sot në Gjykatë 3.000 firmat e nevojshme për t’u regjistruar ligjërisht dhe më pas pritet të regjistrohet edhe në KQZ për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Ndryshe nga çfarë pritej, deputetja Rudina Hajdari vendosi të heqë dorë nga angazhimi i drejtpërdrejtë në këtë forcë të re, në të cilën ajo vetë u përfol edhe si kryetare.
Vendimi i Hajdarit erdhi si rezultat i kundërshtive të forta, me të cilat Grupi Parlamentar demokrat iu përgjigj kërkesës për të qenë pjesë e forcës së re politike “Bindja Demokratike”. Përmes një urimi në “Twitter”, Hajdari i uroi suksese forcës së re politike, duke bërë të qartë se ajo nuk do të ketë lidhje me këtë grupim të ri, pasi do të jetë e fokusuar në drejtimin e Grupit Parlamentar.
“Duke i uruar suksese përpjekjeve të çdokujt për demokratizimin e vendit, dëshiroj të theksoj se pavarësisht lajmit që u përhap, nuk kam asnjë lidhje dhe në vazhdim do të fokusohem te puna dhe objektivat e Grupit Parlamentar Demokrat”, deklaroi Hajdari.
TAKIMI
Themelimi i partisë “Bindja Demokratike” ndodhi në periferi të Tiranës, në studion muzikore të ish-anëtarit të Kryesisë së PD-së, Arben Skënderit. Në mbledhjen që u mbajt në fshehtësi të plotë nga media morën pjesë 26 themelues dhe në përfundim të saj u vendos që sot, subjekti i ri politik të regjistrohet ligjërisht edhe në Gjykatë.
Në përfundim të mbledhjes, ish-nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, deklaroi se nuk ka asgjë për të fshehur nga forca e re, por gjithçka do të mësohet pas regjistrimit ligjor të saj. “Ju falënderoj për vëmendjen kaq të madhe. Ju kërkojë ndjesë që nuk jua shuaj dot kërshërinë. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe asgjë për të treguar sot. Nesër do të kemi një komunikim për të gjithë”, tha Patozi.
Burime të “Panorama” bëjnë me dije se pavarësisht se Astrit Patozi është figura me staturën më të lartë politike në forcën e sapokrijuar, ajo do të drejtohet përmes një bordi të përbashkët. Mënyra e organizimit dhe pretendimet e forcës së re politike në betejën më të afërt zgjedhore, atë të 30 qershorit, pritet të bëhen sot publike pas regjistrimit në Gjykatë.
ANËTARË
Pjesë e “Bindja Demokratike” pritet të jenë pjesa më e madhe e atyre, që në 2017, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare, kërkuan largimin e Lulzim Bashës dhe krijuan Lëvizjen për Ringritjen e PD. Burimet bëjnë me dije se pjesë e “Bindja Demokratike”, krahas Patozit, do të jenë ish-anëtarët e Këshillit Kombëtar: Fabian Topollaj, Arben Skënderi, Leonard Olli, Ardian Kollozi etj.. Por pjesë e forcës së re politike pritet të jenë edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Përpara se të ulej me themeluesit e ‘Bindja Demokratike’, Astrit Patozi zhvilloi një takim me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, që kanë dalë nga listat e PD-së.
Mësohet se deputeti i konfirmuar që do të mbështesë dhe do të jetë pjesë e kësaj force të re politike do të jetë Andi Përmeti, i cili këtë të enjte do të marrë mandatin e deputetit në Parlament. Anëtarët e Grupit Demokrat, të drejtuar në Kuvend nga Rudina Hajdari, janë shprehur kundër angazhimit në këtë forcë të re, por gjithçka pritet të qartësohet në ditët në vazhdim.
Disa ditë më parë, Patozi dhe Hajdari zhvilluan një takim publik mes tyre, ku mësohet se është propozuar edhe angazhimi në partinë e re. Këtë vendim, Hajdari e konsultoi me anëtarët e grupit në një mbledhje të zhvilluar të shtunën, takim i cili solli më pas edhe tërheqjen nga angazhimi edhe të vetë deputetes Rudina Hajdari.
THEMELUES TE BINDJA DEMOKRATIKE
Astrit Patozi
Fabian Topollaj
Arben Skënderi
Leonard Olli
Andi Përmeti
Ardjan Kollozi