Një nga politikanet më me përvojë të PS, Mimi Kodheli është rikthyer sërisht në skuadrën e saj të deputetëve, për të qenë pjesë e Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti. Në këtë mënyrë, Grupit Parlamentar i mazhorancës është forcuar me një politikane karriere, pas tërheqjes së mjekes së shquar Najada Çomo.
E renditur në pozicionin e 21 të listës së kandidatëve për deputetë në Tiranë, Mimi Kodheli nuk ia doli që të futej direkt në Kuvend, pasi socialistët morën vetëm 18 mandate. Megjithëse ishte një nga kandidatet më të votuara nominalisht, ish ministrja e Mbrojtjes në qeverinë Rama 1, nuk ia doli që të kalonte 10 mijë votat për të thyer “herësin” në mënyrë që të futej automatikisht në listën e deputetëve të kësaj legjislature.
Gjatë takimit të sotëm me anëtarët e kabinetit qeveritar, ku Kryeministri Edi Rama bëri një pasqyrë të punës gjatë mandatit të dytë qeverisës ai dha lajmin se Najada Çomo e cila ishte numri 2 i listës së kandidatëve për deputetë të PS në kryeqytet, është tërhequr për tiu përkushtuar profesionit të saj si mjeke.
Çomo ka qenë në krye të luftës kundër pandemisë së virusit vrasës covid-19 dhe pikërisht këto ditë, kur janë shtuar rastet e reja për shkak të variantit të ri delta, i ka komunikuar Kryetarit të PS vendimin për të vijuar punën në vijën e parë të kësaj lufte.
Formula e zbatimit të sistemit elektoral shqiptar, përcakton se në rast tërheqje të një deputeteje grua, vendin e saj në Kuvend e zë kandidatja e parë që ndodhet në listën e pritjes nga partia e saj. Mimi Kodheli është në vendin e 21 të listës dhe përpara saj, ndodhen kandidatët për deputetë Pandeli Majko dhe Plarent Ndreca, të cilët nuk ishin në zonën fituese të listës së kryeqytetit. Për të ruajtur balancat gjinore në Kuvend, tërheqja e Najada Çomos dërgon automatiksiht në shtator në Kuvend, Mimi Kodhelin.
Mimi Kodheli u bë deputete për herë të parë pasi kandidoi me siglën e PS, në zgjedhjet e vitit 2009 dhe mandati i sapo marë është i katërti në karrierën e saj politike.
Alpenews.al


