Kreu i PD-së, Lulzim Basha, teksa foli pas takimit me të dërguarin e SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se interesi i PD është pikërisht lufta kundër korrupsionit, angazhim i marrë edhe nga aleati strategjik i vendit tonë. Basha mirëpriti ftesën e Escobar për vizitë në Uashington, teksa tha se po e planifikon atë së shpejti.
“Ishte kënaqësi e veçantë të mirëpres sot përfaqësuesin e lartë të SHBA. Lufta kundër korrupsionit është përcaktuar si interes kombëtar i SHBA është dhe më shumë interes kombëtar i Shqipërisë, ajo për të cilën PD ka luftuar dhe është përpjekur më shumë se çdo gjë tjetër këto8 vite. Te ligji për SPAK dhe BKH, iniciativa për vetingun e politikanëve, dëshmojnë se PD ka qenë dhe mbetet e vendosur në luftën kundër korrupsionit që është kyçi për zgjidhjen e problemeve që ka Shqipëria sot. Betejat e PD kanë qenë këto dhe është kënaqësi e jashtëzakonshme të shohim një rikthim në SHBA në Ballkan dhe Shqipëri të një beteje që e kemi luftuar prej vitesh. Diskutuam për të gjitha çështjet e aktualitetit në vend edhe në Rajon. Bëra të qartë qëndrimin e PD për pacenueshmërinë integritetit territorial të Kosovës. Në këtë qëndrim që paraqita kam marrë mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë të Escobar, Diskutuam edhe për ecjen përpara të drejtësisë, ku kyç është dënimi i politikanëve të korruptuar. Çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve non grata ishin pjesë e diskutimeve ndërsa për vendimet e departamentit të shtetit do të dëgjoni nga vet Escobar. Ftesë për në Uashington e mirëpres dhe padiskutim po planifikoj një vizitë për në Uashington “, tha Basha.


