Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve të ndershëm ku ata besojnë se do t’i bashkohen opozitës për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama.
Teksa ka bërë një deklaratë pasi ka dalë nga seanca e jashtëzakonshme, kryedemokrati hodhi akuza të forta ndaj shefit të qeverisë duke e quajtur “hajdut psiqik” ndërsa kryetarja e LSI tha se do jemi në krye të protestave dhe do rrëzojmë Ramën me çdo çmim.
“Hajdut psikik që i dha sot dërrmën e fundit Kuvendit. Nuk mund të vazhdojë më kjo gjendje.
Shqipëria nuk mund ta durojë më këtë gjendje. Ndaj detyra jonë është të jemi në krahë të këtyre njerëzve. Çdo ditë me Ramën kryeministër është ditë krize.
Çdokush që i shërben me vetëdije apo vetëdije vazhdimit për çdo ditë të vetme të qëndrimit të Ramës kryeministër është tradhtar.
Pavarësisht nëse është një analist apo oligark, të gjithë duhet të trajtohen tradhtarë.
E sotmja është shpallja luftë opozitarizmit dhe parlamentit.
Ne si opozitë duhet të mobilizohemi me të gjitha resurset. Thirrje çdo shqiptari të ndershëm për të rrëzuar me çdo kusht shkaktarin e kësaj emergjence”, deklaroi kreu i PD.
Monika Kryemadhi, kryetare e LSI:
“Shumë shpejt do të mblidhemi dhe do kemi axhendën. nuk është çështje bojkoti se nuk ke çfarë të bojkotosh. Opozita është bashkë.
Do njiheni shumë shpejt jo vetëm me axhendën por dhe me grupet e strukturat. S’ka nevojë më për protesta masive.
Ke me qindra studentë, familje, minatorë, naftëtarë.
Opozita nuk do të jetë më zjarrfikëse dhe të fikë më zjarrin e protestës por do të vihet në krye të protestave. Çdo njeri që i jep oksigjen këtij hajduti psikik është tradhtar”, tha Kryemadhi.
Përgatit: Alpenews.al


