Katër orë pas denoncimit të një familjeje në Tiranë për rrëmbimin e vajzës së tyre 13 vjeçare, vajza u gjet sot nga Policia e Shtetit duke pirë pije freskuese pranë një qendre tregtare. Vetë vajza thuhet të ketë deklaruar se ky inskenim rrëmbimi ishte një formë shakaje për prindërit “që nuk e linin të dilte”.
Përpos shqetësimit të kuptueshëm të prindërve të saj, në ankth për fatin e vajzës së vet, kjo histori futi në kurthin e prodhimit të shpejtë dhe shpërndarjes së menjëhershme të histerisë publike, vetë mediat tona.
Prej momenteve të para të raportimit, ende kur lajmi ishte i paplotë dhe rrethanat e këtij rrëmbimi ishin të paqarta, disa media, turravrapi tentuan që me ngjarjen të ngjiznin një histori histerie e pasigurie, frike dhe krimi që sipas tyre po cënonte kryeqytetin.
Ende pa ditur detajet e ngjarjes dhe pa dëgjuar versionin zyrtar të policisë së shtetit për ngjarjen, disa media nxituan me zakonin e kahershëm që kanë, të prodhojnë me doemos panik nga fatkeqësitë, njerëzore a natyrore qofshin këto dhe me patjetër të përhapnin histerinë kolektive se ky vend është i pasigurt, i pambrojtur, pa rend e pa ligj.
Ditë më parë, ishte sajimi i një lajmi të rremë mbi tërmetin që do të godiste vendin, ai që zbuloi përveçse mungesës së arsyes në disa nga mediat tona, edhe mungesën e përgjegjshmërisë së tyre profesionale në raport me ndjeshmërinë e publikut.
Ndërsa sot, duke u përpjekur të luajnë në mënyrë të paprinciptë, me emocionet e njerëzve, mediat ranë në grackën e imagjinatës së një 13 vjeçareje, rasti i së cilës duhet të jetë një shuplakë leksioni për këdo që kërkon të shesë panik, vetëm me një klik!