Në përfundim të mbledhjes së kryeministrit Edi Rama me drejtuesit politikë të PS në qarqe, Balla tha se “Që në Kongresin e shkurtit ne kemi bërë ndryshime statutore të rëndësishme, të cilat njehësojnë qasjen që Kuvendi i Shqipërisë ka bërë sa i përket ligjit të dekriminalizimit. Mendoj se PS ka qenë partia e parë që e ka bërë këtë”.
Ndërkohë, i pyetur se “cilat janë qarqet ku PS ka probleme dhe kërkon përmirësim”, numri dy i PS u përgjigj: “Ky do të jetë një diskutim i përjavshëm. Me fillimin e organizimit të asambleve të PS, ku do të diskutohet një për një çdo problematikë, ne do të kemi një hartë të plotë të çdo lloj problematike dhe adresimit të tyre”.
Lidhur me ndryshimin e drejtuesit politik të PS në Qarkun e Lezhës, ku Rama hoqi ministrin Sandër Lleshaj dhe riktheu Lindita Nikollën, kreu i grupit të PS u shpreh se kjo nuk ka të bëjë me performancën e Lleshajt.
“PS në mënyrë të vazhdueshme ka përzgjedhur dhe bërë ndryshime në drejtimin politik të qarqeve. Nuk ka të bëjë aspak me performancën e Lleshajt si drejtues politik në Lezhë. Ai është ministër shumë i mirë, që ka shkëlqyer në krye të Ministrisë së Brendshme. Në Lezhë PS do të marrë në zgjedhjet e ardhshme 4 mandate”, tha Balla.


