Bëri jo pak bujë kur disa ditë më parë deputetja Rudina Hajdari njoftoi atë që kishte kohë që e nenkuptonte, një parti të re që do jetë gati për zgjedhjet e 2021.
Ndonëse pritej që Hajdari të bashkohej me Murrizin, pasi ky i fundit lançoi edhe logon e Lëvizjes Demokratike Shqiptare, deputetja habiti kur u shpreh se në fakt ajo do të bashkohej me “Nisma Thurjen”, që prej vitesh duket se ka pritur pikerisht këtë moment si të duhurin për të ardhur si alternativë reale.
“Me takime në qytete e lagje do e nisim shtatorin”, deklaroi Rudina Hajdari por duket se u nxitua kur teksa foli për lëvizjen që ende nuk ka një emër, la të kuptohej se ajo do ishte liderja, kur foli për betejen e fituar sipas saj të listave të hapura… në numrin njëjës!
“Fitova një betejë shumë të madhe, hapjen e listave dhe ja ku jemi sot. Në formatin e ri politik për cdo premtim, unë do të luftoj për ta arritur. Koha është e favorshme për një lëvizje të re politike. Njerëzit janë të zhgënjyer. Por kur shikojnë alternativën nuk janë të kënaqur. Kjo krijon një hapësirë për ata që nuk përfaqësohen nga partitë e vjetra dhe pse jo mos krijohet kjo gjë sot”, u shpreh Hajdari gjatë një interviste.
I menjëhershëm u duk edhe reagimi i një prej anëtarëve të “Nisma Thurje”, Pano Soko i cili e shprehu hapur e qartë që ne fakt figura kryesore nuk do ishte Rudina Hajdari por një aktor. Ai uli edhe më tej pritshmëritë e deputetes teksa shtoi se bashkëpunimi me Hajdarin ka ardhur prej betejës per hapjen e listave dhe jo si një bashkim veçanërisht me të.
Rudina s’ka ardhur me qëllimin të marrë drejtimin. Kryetari do të jetë një personazh shumë i dashur për shqiptarët, ne titull honorofik, mund të jetë një aktor i madh, artist i madh. Nuk do të ngremë një lëvizje për të ngritur kultin e individit. Bashkëpunimi me Hajdarin kemi pasur që me hapjen e listave, jemi në të njëjtën trajektore, nuk ka ndodhur një bashkim, kemi kërkuar në vetvete të njëjtën gjë, hapja e listave është mjet, qëllimi është përfaqësimi në parlament, ndryshimi i atyre që janë aty, deklaroi Soko.
Ndonëse ende nuk dihet se cili do jetë aktori, burime bëjnë me dije se një prej emrave që po diskutohet është Mirush Kabashi.
AlpeNews.al


