Policia e kryeqytetit ka hequr me karrotrec 17 automjete të parkuara në mënyrë të gabuar, që kishin bllokuar lëvizjen në zonat e ish-parkut të autobusave dhe “21 Dhjetorit”.
Aksioni i bluve u krye pas denoncimeve të bëra nga qytetarët.
Sipas njoftimit të policisë raportohet se drejtuesit e automjeteve janë gjobitur me 3000 lekë.
“Pas denoncimeve të qytetarëve, se automjete të parkuara në mënyrë të gabuar, kishin penguar lëvizjen e tyre dhe të mjeteve në këto dy zona, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë shkuar në terren, për të verifikuar secilin rast.
Në vijim të veprimeve procedurale, janë spostuar me mjet ngritës, automjete, të cilat janë transportuar në ambientet e këtij komisariati. Për secilin rast shërbimet e Policisë Rrugore kryen verifikimet dhe ndëshkuan drejtuesit e automjeteve, me nga 3000 lekë masë administrative”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve, që të mos parkojnë në vende ku bllokojnë lëvizjen e qytetarëve apo mjeteve të tjera.


