Sa të ketë Pinterest, s’ka nevojë për sondazhe. Rrjeti social që bazohet tek shijet e njerëzve mbi të bukurën dhe modën publikoi 10 trendet që njerëzit kanë kërkuar më shumë në hyrje të 2018-ës. Nga stili i përditshëm tek veshjet për raste, janë këto trendet që do të shikojmë kudo në vitin e ri.
Beretat
Beretat s’kanë dalë ndonjëherë nga moda, por asnjëherë s’kanë qenë të parapëlqyera sa tani. Sipas Pinterest, kërkimet me fjalën “beretë” janë shtuar deri në 269 përqind.
Mania për logo
Sa më e dukshme, aq më mirë. Bluzat dhe gjithçka tjetër që përmban logo janë ndër më të kërkuarat në Pinterest, si mënyra më e mirë për t’u veshur thjesht dhe prapë, të dukesh e veshur shtrenjtë.
Këpucë me gurë dhe perla
Këpucët e stolisura janë një prej elementeve më IN të sezonit dhe pritet të jenë kudo në 2018-ën. Me gurë, perla apo perçina, tani e tutje takat s’janë thjesht diçka për t’u rritur në gjatësi, por një vend për aksesorë.
Çorapet e tejdukshme
Po kalojmë 2017-ën e çorapeve rrjetë për të hyrë në 2018-ën e çorapeve “të xhamit”- siç i quajmë. Mund të vishen me taka, me atlete apo këpucë të sheshta; çorapet e tejdukshme janë ndër më të kërkuarat në rrjetin Pinterest.
Vëthët gjigandë
Njerëzit po fiksohen pas vëthëve të stërmëdhenj dhe këtë besoj, duhet ta keni vënë re tashmë. Në Pinterest të gjithë po kërkojnë modele vëthësh gjigande.
Të çarat
Fundet e çarë janë një trend i përhershëm, por këtë vit njerëzit po kërkojnë edhe për fustane të çarë apo pantallona. Të lësh të duket sa më shumë lëkurë s’ka qenë asnjëherë kaq në modë.
Lëkura dhe inkiliti
Veshjet plastike, veçanërisht këpucët, pushtuan javët e modës në 2017-ës. Në 2018-ën, është koha që veshjet me shkëlqim- qoftë lëkurë apo inkilit- të hyjnë në fuqi dhe këtë e tregojnë mijëra kërkime në Pinterest.
Mbulesat
Të veshësh pulovër është një gjë, të blesh një mbulesë është një gjë tjetër. Pinterest-i parashikon të shikojmë kudo kardigane të gjatë deri në fund të këmbëve sepse në 2018-ën, rrobat duhet të t’i marrë era.
Pantallonat e gjëra
Mesa duket do të nisim të heqim dorë nga pantallonat e ngushta dhe të kthehemi nga pantallonat e lirshme. Kërkimet në Pinterest për pantallona të gjera janë shtuar deri në 213 %.
Xhinset klasike bojëqielli
Me kaq shumë eksperimente sa janë bërë me xhinsin, njerëzit janë mëse gati të kthehen në bazë: xhinset klasike ngjyrë bojëqielli janë ndër më të kërkuarat në Pinterest. Parapëlqehet të kenë shtrat mesatarisht të lartë. Ç’kohëra të arta që do të jenë për Levi’s.
Burimi: “Pinterest”












