Pas shpalljes së emergjencës globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për virusin kinez (koronavirus), Ministria e Shëndetësisë mblodhi për herë të dytë në orën të 09:00 të paradites së sotme, Task-forcën, për të përcaktuar edhe masat shtesë për mbrojtjen nga rreziku i këtij virusi.
Task-forca u mblodh tre ditë më parë nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila theksoi se Shqipëria është më pak e rrezikuar se vendet e BE, pasi nuk ka linjë ajrore të drejtpërdrejtë me Kinën, e për pasojë shtetasit kinezë kalojnë disa tranzite në aeroporte të këtyre vendeve deri në mbërritjen në Shqipëri.
Ky virus ka shkaktuar deri më tani 213 viktima, ndërsa numërohen mbi 10 000 të prekur, kryesisht në provincën e izoluar tashmë, Wuhan ku dhe u shfaq për herë të parë.
Në të gjithë pikat kufitare të Juglindjes por jo vetëm, janë marrë masa të shtuara për sa i përket parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Burime për Report Tv bëjnë me dije se grupet e mjekëve do të jenë në gatishmëri përgjatë 24 orëve dhe do të alternohen me turne. Përveç grupit të mjekëve dhe policëve të trajnuar së fundmi pikave doganore u është shtuar edhe një ambient që do të ekzaminohen rastet e dyshuara.
Drejtoritë e Shëndetiti Publik prej ditës së djeshme kanë vendosur në teren grupe mjekësh e specialistë të cilët do të verifikojnë çdo person që vjen nga vendet aziatike, sidomos atyre të zonave të prekura nga koronavirusi që hyjnë në territorin shqiptar.


