Drejtësia shqiptare nuk ka ndryshuar ende profil, duke qëndruar fort në “formatin” e vitit 1992-1993, të projektuar dhe instaluar nga Presidenti i asaj kohe Sali Berisha.
Asnjë hap përpara nuk ka bërë, referuar ngjarjeve të njëpasnjëshme që drejtësia shqiptare ka prodhuar, herë me dëshirën e saj e herë me urdhër nga lart.
Paralele të çuditshme mes fundit të vitit 2017 dhe fillimit të viteve ’90-të po shfaqen, sidomos kur bëhet fjalë për rastet e theksuara politike.
Nuk jemi që politikanët të mos hetohen, përkundrazi ata duhet të hetohen të parët, por duhet të ketë hetim dhe dënim me prova, pasi në fund të fundit dhe ata janë familjarë, janë njerëz shoqërore, kanë jetën e tyre dhe të drejtat e tyre të njohura kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht.
Për të ilustruar shqetësimin se drejtësia shqiptare, prokuroria dhe gjykata, nuk kanë ndryshuar që nga viti 1992, por sjellim dy shembuj që përbëjnë një paralele të dhimbshme dhe që tregon përdorimin e thellë politik të drejtësisë shqiptare.
Bëhet fjalë për rastin e dënimit të ish kryeministri Fatos Nano në vitin 1993, i cili nga prokuroria e atëhershme akuzohej për ndihmën që i kishte dhënë zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm italian të asaj kohe Xhani De Mikeles për të vjedhur ndihmat e dhëna për Shqipërinë në ato vite dhe kur Nano kishte qënë kryeministër.
Hetimi kishte filluar në Itali dhe për pasojë u shtri dhe në Shqipëri nga drejtësia shqiptare, e cila vuri nën akuzë kryeministrin Fatos Nano, pas materialit të ish kreut të Kontrollit të Shtetit Blerim Çela. Hetimet vijuan në mënyrë intensive.
Por ndodhi një ndryshim në Itali, pasi hetimet treguan se Xhani De Mikeles nuk kishte abuzuar me ndihmat e dhëna për Shqipërinë. U shpall i pafajshëm i dhanë lekët për mërzinë dhe mundimin që i kishin shkaktuar dhe u kthye në gjirin e familjes së tij biologjike dhe politike.
Në Shqipëri Fatos Nano, “bashkëpunëtori” që e kishte “ndihmuar” De Mikelesin e shpallur ligjërisht të pafajshëm nga drejtësia italiane që të “vidhte” ndihmat e pavjedhura italiane u dënua me 10 vite në burg.
Pra “ustai” lirohet si i pafajshëm ndërkohë që “shërbëtori” mbahej në burg.
Shqiptarët e dinë historinë më tej, Fatos Nano u dënua me 10 vite burg nga drejtësia e komanduar asokohe nga ish presidenti Sali Berisha, dhe vetëm pas rënies së shtetit dhe hapjes së burgjeve më 1997 doli.
Më pas PS fitoi zgjedhjet, Nano mori pafajësinë dhe u bë kryeministër.
Por çfarë ndodh sot, si njëherë e një kohë në vitet 1992-1993?!
Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri merret nën hetim për një akuzë akoma më të rëndë, pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal të trafikut të drogës. Bëhet fjalë për grupin e vëllezërve “Habilaj” të arrestuar në Itali.
Baza e nisjes së hetimit ishte një përgjim nga drejtësia italiane e Katanias ku përmes një përkthimi rrethanor dhe deduksioni të përkthyesve në Shqipëri që me fjalët e tija dhe aspak nga përgjimi përfshin dhe Saimir Tahirin si “kamionistin” e ngarkuar për të transportuar drogën e Habilajve.
Që për rastësi fatkeqe ishin kushurinj të largët të ish ministrit të Brendshëm. Ngrihet një kauzë e opozitës që e përdori si “kalë beteje” në momentin e pas-katastrofës zgjedhore për të, ku humbi zgjedhjet përballë Ramës.
Ndonëse kishte akuza nga më të fortat nga opozita, duke i faturuar gjithçka Tahirit deri dhe paratë e biznesmenit Sota, prokuroria italiane e Katanias mbylli zyrtarisht dosjen e vëllezëve “Habilaj”.
Jo vetëm që për Saimir Tahirin, ish ministrin e Brendshëm nuk kishte asnjë provë, por as që ia përmendte emrin fare në këtë mersele me Habilaj dhe drogë.
Por çfarë ndodhi pas mbylljes zyrtare të hetimeve të prokurorisë së Katanias?
Prokuroria e Krimeve të Rënda shqiptare, bashkë me gjykatën shqiptare, mot a mot si në vitin 1993, në vend që të pushonte hetimet ndaj ish ministrit Saimir Tahiri, për grupin e trafikut të drogës “Habilaj”, vijon hetimet me kokëfortësi, madje merret vendim dhe nga gjykata që të mos lëvizë jashtë vendit.
Nuk po kuptohet, nëse po hetohet nga prokuroria shqiptare ish ministri i Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri apo prokuroria e Katanias që përjashtoi Tahirin nga përfshirja në grupin kriminal të vëllezërve “Habilaj” dhe që s’ka asnjë provë për ish ministrin e Brendshëm.
Ndaj duke krahasuar të dy rastet, atë De Mikeles-Nano në vitin 1993 dhe “Habilaj”-Tahiri të vitit 2017, e themi me siguri se drejtësia shqiptare është në të njejtat nivele.
Për më tepër guxojmë që të themi se drejtohet pikërisht nga e njëjta dorë që drejtohej dhe atëherë, nga Sali Berisha.
Dhe ky konstatim jo se kryeprokurori i atëhershëm që firmosi arrestin e Nanos ishte kuksian, as se tre prokurorët që hetojnë Tahirin janë tropojanë.(TemA)


