Rrebeshe të dendura shiu kanë përfshirë pasditen e kësaj të mërkure Elbasan dhe zonat përreth, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe probleme në disa akse rrugore.
Reshjet intensive janë shoqëruar edhe me shkarkesa elektrike, ndërsa situata më problematike është raportuar në aksin Elbasan-Peqin, ku drejtuesit e mjeteve janë përballur me vështirësi për shkak të pranisë së ujit në rrugë dhe uljes së shikueshmërisë.
Policia u ka bërë thirrje shoferëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.
Prej tre ditësh, zona e Elbasan po përballet me reshje shiu të përditshme gjatë orëve të pasdites, duke sjellë mot të paqëndrueshëm në të gjithë qarkun.


