Prodhimet shqiptare si vaji i ullirit të Elbasanit, mjalti i Kelmendit dhe glikotë e Përmetit do të prezantohen në edicionin e 12-të të panairit “Terra Madre Salone del Gusto”, që do të zhvillohet nga 20-24 shtator në Torino, Itali.
Në organizimin më të rëndësishëm ndërkombëtar kushtuar kulturës së ushqimit do të marrë pjesë një delegacion prej rreth 200 vetësh.
Organizuar nga Slow Food në bashkëpunim me Rajonin e Piemontes dhe qytetin e Torinos, në panair do të jenë të pranishëm mbi 5,000 delegatë nga 140 vende, mbi 800 ekspozues, 300 Slow Food Presidia dhe 500 komunitete ushqimore Terra Madre do të marrin pjesë në këtë aktivitet.
Delegacionet e Slow Food nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Turqia përfshijnë fermerë familjarë, prodhues, akademikë, kuzhinierë, aktivistë, anëtarë të Rrjetit Rinor Slow Food (SFYN), si dhe studentë, të cilët do të sjellin njohuritë dhe përvojën e tyre në aktivitetet e shumta që do të ofrohen gjatë këtij organizimi 5-ditor.
Ushqimi për ndryshim është tema kryesore e këtij edicioni të 12-të, ku këtë vit fokusi do të jetë te njerëzit dhe ndryshimi që gjithkush mund të ndihmojë për ta bërë.
Tregu Ndërkombëtar, i vendosur në Lingotto Fiere dhe Oval, do të ekspozojë produkte të shumta lokale nga Gadishulli Ballkanik: Nga Shqipëria, publiku do të jetë në gjendje të shijojë dhe të blejë Përmet Gliko (Slow Food Presidium), vajin ekstra të virgjër nga Elbasani dhe mjaltin e prodhuar në rajonin e largët alpin të Kelmendit; nga Bosnja dhe Hercegovina, Pozegaca Plum Slatko (Slow Food Presidium), fasulet Poljak, si dhe një varietet të lashtë misri nga Dubica.
Gjashtë ushqimet Slow Food Presidia të Bullgarisë (mishi i derrit i Ballkanit lindor, mishi i deles Karakachan, domatja e trëndafiltë Kurtovo Konare, Meurche, fasulet Smilyan, djathi i gjelbër Tcherni Vit) do të jenë gjithashtu në panair.
Nga Greqia do të ketë një stendë për të ekspozuar produktet që pasqyrojnë traditën gastronomike të ishullit Ikaria, një margaritar i fshehur i detit Egje, përfshirë vajin esencial të Zagarës dhe reçelet e frutave. Pesë ushqime Slow Food Presidia nga Maqedonia do të jenë të pranishme: Specat e kuq Bukovo, mjalti maqedonas, rrushi Stanushina dhe fiku i egër Slatko.
Prezantuar në bashkëpunim me FAO, stenda e Malit të Zi do të përfshijë një përzgjedhje të produkteve që janë kandidate për emërtimet e origjinës, duke përfshirë mjaltin, miellin, proshutën dhe vajin e ullirit ekstra të virgjër.
Stenda rumune do të prezantojë pesë prodhues të përzgjedhur nga Slow Food në sajë të projektit të Iniciativës së Bujqësisë të Fondacionit të Princit të Uellsit në Rumani. Ndër produktet e tyre përfshihen: djathi i butë i qumështit të deles Brânză de burduf, mjalti millefiori, pálinka, vaji i presuar në të ftohtë i prodhuar afër qytetit Turda, mishi i derrit Bazna (Slow Food Presidium) dhe konservat e fshatit sakson (Slow Food Presidium).
Nga Serbia, përveç reçeleve të frutave dhe rakisë, do të ketë gjithashtu një stendë kushtuar komunitetit të ushqimit “Prodhuesit e vegjël të Velika Plana”. Velika është një qytet në luginën e madhe të Moravës, e cila është shumë aktive në promovimin e traditave të saj gastronomike.
Delegatët nga Turqia do të sjellin uthull nga Tregu i Tokës Şile, trahana nga Tregu i Tokës Foça, të lashtin grurin kavılca dhe vajin e ullirit të papërpunuar nga vendet indigjene të kodrave Mahal.
Një hapësirë e Tregut ndërkombëtar do t’i kushtohet Kuzhinave Terra Madre, ku kuzhinierë nga katër kontinente do të përgatisin gatime autentike, duke përdorur produkte nga vendet e tyre të origjinës. Në këtë hapësirë, publiku do të mësojë më shumë rreth shijeve tradicionale të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë.
Këtë vit, zemra që rreh e Terra Madre Salone del Gusto do të jetë i fushave tematike #ushqimipërndryshim: Slow Food ka identifikuar pesë tema kryesore (Mishi Slow, Peshku Slow, Farërat, Ushqimi e Shëndeti dhe Bletët e Insektet).