“Klan” ka siguruar momentin kur efektivët e policisë shoqërojnë një prej personave të përfshirë në sherrin e ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne pranë gjimnazit “Çajupi” në Tiranë.
Siç mund të shihet në video, policia e gjeti personin në fjalë të fshehur në shkallën e një pallati të zonës. Ai tentoi t’i shpëtonte policisë duke u futur pikërisht në këtë pallat.
Të tmerruar nga ngjarja, banorët e zonës për tvklan.althonë se dëgjuan të paktën 4 të shtëna në ajër.
Çfarë ndodhi? Një sherr i nisur fillimisht mes dy mësueseve në gjimnazin “Andon Zako Çajupi”, degjeneroi mëngjesin e kësaj të hëne deri në përplasjen me sende të forta në mes të rrugës, e madje deri tek të shtënat me armë. Një 32-vjeçar mbeti i lënduar me sende të forta, ndërsa në vendngjarje u gjet edhe një pistoletë, me të cilën një prej personave të përfshirë në sherr dyshohet se qëlloi në ajër.
Pas sherrit dyshohet se fshihen motivet banale. Fillimisht gjithçka ka nisur në ambientet e gjimnazit mes dy mësueseve. Më pas ato kanë shkuar në një lokal aty pranë dhe përplasja ka vijuar, duke degraduar në përdorimin e sendeve të forta. Gjurmët e kësaj përplasjeje shihen edhe në trotuar.
E gjithë kjo ngjarje ndodhi në një kohë kur në zonë kishte nxënës, prindër e qytetarë të shumtë. Përplasja shkaktoi jo pak panik në zonë. Për normalizimin e ngjarjes ndërhynë forcat policore, që po ashtu shoqëruan në komisariat 5 persona