Prej disa ditësh në vendin tonë janë identifikuar rastet me gripin e shpendëve. Pamjet e pulave të ngordhura në Durrës që i ngjasojnë një “mali” tregojnë një situata tejet alarmante.
Kryeveterineri Armand Llolli shprehu shqetësimin se asnjë nga autoritetet nuk ka ardhur për të marrë masa për eliminim e tyre. Sipas tij, në 4-5 ditët e fundit kanë ngordhur 120 mijë pula.
“Situata është tejet kritike, sepse ne kemi ngordhshmëri të lartë dhe asnjë nga autoritetet nuk ka ardhur të marrë masa për eliminimin e këtyre. Detyrën e ka shteti, autoriteti vendor, agjencia e mjedisit, shërbimi veterinar dhe sigurisht tatimet.
Ndotja mjedisore është shumë e lartë dhe këtë e kanë për detyrë vetëm autoritetet e shtetit per te marre masa per eliminimin e tyre. Kanë filluar lëvizjet por të shohim çfarë do të bëhet.
Deri tani kanë ngordhur rreth 120 mijë pula brenda 4-5 ditëve”, u shpreh Armand Llolli.
Përfaqësuesi i vezës “AIBA”, Artan Luku u shpreh se nuk është vetëm kompania e tyre e prekur, por ka edhe të tjerë. Ai u shpreh se kanë tëhequr nga tregu vezën dhe ja kanë vënë në dispozicion AKU-së.
“I gjithë procesi ka filluar një javë para kur në mënyrë të çuditshme rritej ngordhshmëria e pulave. Ne lajmëruam autoritetet të cilët dolën në një konkluzion qe kemi laringotracheite. Që në fillimet e këtij procesi, duke u konsultuar me specialistët më të mirë në Itali dhe dhe Hungari ne kundërshtuam prezencën e laringotracheite. Nga informacioni që morëm një niveli lartë ngordhshmërie kishte ndodhur dhe në dy komplekse të tjera, kur u tha se nuk kishte asnjë pulë. Kur nje kompleks ka asgjesuar te gjitha pulat dhe disa dite me vone shenjat klinike u shfaqen edhe tek ne.
Me insistimin tonë u arrit në konkluzionin që kemi influencë aviare, një sëmundje që dëmton jo vetem ekonomin e fermave, por edhe shëndetin e njerëzve.
Situata ka mbetur në një ngërç ligjor mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Mjedisit. Shtabi i emergjencës është mbledhur dhe po mundohet të gjejë një vend për groposjen. Pritet që ministria e Bujqësisë dhe institucionet të japin urdhrin eliminimin e atyre krerëve që janë gjallë. Tani më të rrezikshme janë krerët që janë gjallë.
Për raste të tillë ka një mungesë në infrastrukturën ligjore sa i përket procesit të groposjes. Procesi i eliminimit është miratuar nga ministrja Ekonomi. Jemi në pritje, kemi 72 orë që presim urdhra. Për ne ky proces duhet të jetë i hapur.
Ne po i furnizojmë se po na vjen gjynah të ngordhin nga mosushqyerja. Aiba kompani ka bllokuar tregun e vezës nga Xhafzotaj. Edhe ato vezë që i ka shpërndarë i ka tërhequr. Aktualisht tregtojmë vezë nga kompleksi që kemi në zonën e Vlorës.
Kam dëgjuar që është vetëm tek ne problemi. Nuk jemi ne të parët, por ne jemi të fundit. Profesionalisht ndjemi në rregull dhe ndihemi të qetë që insistuam që ta zbardhim këtë”


