Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 rihter ka goditur Turqinë lindore mbrëmjen e të premtes. Deri më tani sipas Ministrit të Brendshëm të Turqisë, janë shënuar të paktën 21 viktima , ndërkaq që mbi 100 banesa janë të rrënuara duke lënë pas mijëra të plagosur.
Epiqendra e këtij tërmeti të fortë ka qenë pranë zonës së quajtur Elazig, ku u shënuan edhe më shumë viktima dhe dëmet e mëdha materiale. Thellësia e këtij tërmeti ka qenë 6.7 km, ndërsa lëkundja është shënuar në orën 17:55. Prej disa ditësh Turqia goditet nga lëkundjet e tërmetit, por intensiteti i tyre ka qenë shumë më i ulët sesa sot. Turqia është prekur nga tërmeti edhe gjatë ditës së mërkurë (22 Janar) në provincën perëndimore të Manisa ku u regjistrua magnituda 5.4 ballë. Me anë të një deklarate, kryetari i bashkisë së Elazig tha se të gjitha ekipet e emergjencave janë në gatishmëri dhe po punojnë për të shpëtuar personat që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Ndërkohë në këtë qytet dhe në zonat përreth vijojnë paslëkundjet e vazhdueshme.
Dridhjet janë ndjerë në Irak, Siri, Liban dhe Izrael, ndërsa banorët kanë ndarë pamjet e ndërtesave që dridhen në qytete të ndryshme. Ky nuk është tërmeti i parë që godet Turqinë, pasi një tjetër tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.0 goditi provincën Elazig në 2010 duke lënë pas 51 viktima. Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) tha se viktimat janë gjetur nën rrënoja në provincën Elazig, në Malatya dhe në Dijarbakir, në juglindje të Turqisë. Gjysmëhëna e Kuqe turke njoftoi se ishte vendosur një tavolinë krize në Ankara, dhe ekipet e shpëtimit u dërguan në zonat e goditura nga tërmeti. Po ashtu, janë dërguar kuzhina të lëvizshme, të cilat shërbejnë deri në 5,000 njerëz.
Përveç viktimave tërmeti ka shkatërruar mbi 100 ndërtesa ndërsa raportohet se mbi 1000 persona janë plagosur. Ndërkohë ekipet e kërkim shpëtimit janë angazhuar në zonat më të prekura nga tërmeti për të gjetur persona të gjallë nën rrënoja.