Kryeministri Edi Rama u kërkoi sot studentëve nga bashkëbisedimi në universitetin e Vlorës, të mos e harrojnë kërkesën e protestës së tyre për vlerësimin e pedagogëve. Ai theksoi se kjo pikë së bashku me vlerësimin akademik dhe ndalimin e tregtisë së librave ishin pika thelbësore të protestës, por që disa individë po përpiqen t’i lënë në hije.
“Ata që u përpoqën ta zgjasin protestën apo ata që thonë se do protestojnë një herë në javë, pa marrë përgjegjësinë për t’i dhënë mësim çdo studenti, nuk thonë se kur dhe si duan që të bëhet vlerësimi akademik, vlerësimi nga studentët dhe ndalimi i tregtisë së librave në fakultete”, tha Rama.
“Nuk i duan VKM-të që flasin për këto çështje. Ne nuk duam të bëjmë vlerësimin e tyre pasi nuk i takon qeverisë, u takon universiteteve. Mekanizmi ka qenë aty brenda ligjit për Arsimin e Lartë, dhe më rezulton që nuk është bërë”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se Pakti për Universitetin nuk është i njëanshëm, por i përbashkët më studentët. “Në këtë fazë është një dokument angazhimesh, por në mars e prill si kontratë me drejtuesit dhe studentët që duan të jenë anëtarë të Paktit, që duan ta nënshkruajnë e ta ndjekin realizimin e tij. Kjo do të thotë që duhet të jeni garantë të Paktit sa i takon qeverisë. Nëse qeveria premton bibliotekë dixhitale deri në këtë afat dhe nuk realizohet, dikush duhet të mbajë përgjegjësi”, tha ai.
Po ashtu, kryeministri Rama theksoi se Qeveria nuk futet dot të lirojë godinat e universiteteve, nuk i nxjerr dot studentët, sepse përgjegjësinë për organizimin e jetës akademike ligji ia jep universitetit. “Kur flasim për autonomi, është liri dhe përgjegjësi dhe u takon drejtuesve të garantojnë mësim për të gjithë. Vlerësimi i titujve nuk do bëhet kurrë nëse e harroni këtë.
As ju e as ata që do vijnë nuk do arrijnë kurrë të qartësohen se kush janë ata që u japin mësim”, vijoi kryeministri.
“Shumica e pedagogëve nuk meritojnë të shihen si armiq, si të maskuar me tituj fallco, po ka një pjesë të konsiderueshme që janë maskuar me tituj fallco, sharlatanë që kanë tituj, shesin libra dhe që nuk e pranojnë vlerësimin e studentëve. Ne duam të kemi mekanizëm, studentët të japin vlerësimin për pedagogët”, përfundoi Rama.


