Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar paketën e rezistencës sociale të qeverisë, si një ndihmë cinike ndaj qytetarëve.
Gjatë një interviste për Neës24, Berisha tha se nëse do të ishte kryeministër, do të hiqete TVSH-në për energjinë, në mënyrë që ajo të ndikonte në uljen e çmimit.
“E kam parë si reagimin më të ligjshëm ndaj një spekulimi të pashembullt, pasojë e mungesës së shtetit ligjor. Hijet e luftës kanë pasur ndikim në çmime, por në asnjë vend nuk ka patur protesta për faktin e vetëm se çdo qeveri e kujdesshme ka qenë mburojë për qytetarët. Në Shqipëri çmimet njohën rritje si në asnjë vend tjetër të Europës, çmimi i naftës tejkaloi nivelet. Qeveria bëhet zëdhënës i kompanive duke paralajmëruar rritje çmimesh. Paketa e qeverisë është cinizëm.
Të gjitha vendet po japin ndihma ndaj qytetarëve me paketet e tyre. Shteti për këtë është, të ndërhyjë për të mbrojtur qytetarët. Me 30 mijë lekë të vjetëra nuk ndërhyn asgjë. Unë do të hiqja TVSH-në për energjinë. Protesta ka dridhur themelet e narkoshtetit. Ka çorganizuar narkoshtetin dhe strukturat e tij. Çdo protestë ka ngritjet dhe uljet e saj. Dhe këto nuk janë dekurajuese. Ishte guximtar vendimi për të sakrifikuar ata djem dhe vajza për të qëndruar përpara Kryeministrisë. Nuk e bëjnë për veten, por për një popull” – tha Berisha.


