Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar me forcë pas akuzave të fundit që lidhen me përdorimin e një karte bankare të padeklaruar, të cilat u bënë nga SPAK dhe disa media.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale dhe një komunikate zyrtare, Meta akuzoi SPAK-un për shpërndarje të qëllimshme të informacionit të pasaktë, që sipas tij ka për qëllim vetëm dëmtimin e imazhit të tij dhe dobësimin e opozitës politike në vend.
Meta e përshkroi SPAK-un si një “organizatë kriminale”, të kontrolluar politikisht dhe në shërbim të interesave të qeverisë së Edi Ramës. Ai theksoi se ky institucion vazhdon të shpërndajë “dizinformacione në televizionet dhe mediat e blera me paratë e pista të inceneratorëve”, duke manipuluar lajmet për të ndikuar opinionin publik dhe për të krijuar një atmosferë pasigurie.
Reagimi i ish-presidentit vjen në një moment të tensionuar politik, ndërsa opozita dhe qeveria vijojnë përplasjet e ashpra në arenën publike.
Reagimi i Ilir Metës:
Organizata kriminale SPAK vazhdon të shpërndajë dizinformacione në televizionet dhe mediat e blera me paratë e pista të inceneratorëve, për fat të keq edhe në Televizionin Publik Shqiptar (RTSH), sikur gjoja autoritetet amerikane kanë përmendur emrin tim për një kartë bankare të padeklaruar.
SPAK është kaq i zbuluar në të gjithë aktivitetin e tij kriminal që nuk ka lidhje me hetimin, por vetëm me urdhrin politik të Edi Ramës nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, sa është i obsesuar të më mbajë mua të lidhur në çift me Monikën (SPAK njësoj si Pilo Peristeri që përpiqej të mbante çiftet me dhunë) duke shkruar qëllimisht edhe në akuzën zyrtare të 26 Majit statusin tim si i martuar, kur kjo marrëdhënie nuk ekziston prej kohësh në gjendjen civile të Republikës së Shqipërisë dhe ata e dinë shumë mirë.


