Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për personat e dosjes “Shpirti” të gjykuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Në total për 16 persona u firmosën 150 vite burg, por me gjykim të shkurtuar me 100 vite. Njëprej anëtarëve është shpallur i pafajshëm, bëhet fjalë për Luan Zylyftari.
Më herët GJKKO, ka dhënë dënimet për 8 anëtarë të grupit, mes tyre kreun e grupit Ilirjan Duçellari, i cili është dënuar me 17 vite heqje lirie, e konvertuar në 11 vite e 4 muaj.
Në dosjen e megaoperacionit “Shpirti” që u zbardh nga Shqiptarja.com dhe Report Tv zbulohet roli i Ilirjan Ducellari (alias Zaimi) si kreu i bandës që kishte plantacione gjigante kultivimi hashashi në zonën e Skraparit dhe bënte të mundur trafikimin drejt Italisë. Ndërsa Rexhino Muça rezulton si pjesë e grupit të Ilirjan Duçellarit që në nëntor të vitit 2015 dështoi në transportimin e 800 kg kanabis nga Shqipëria drejt Italisë. Nisja e lëndës narkotike u bë nga Divjaka, nga Piro Bregu, Elton Hamza, Rexhino Muça e Robert Muftari, por gjatë udhëtimit të parë u prishën motorët, skafi u mbush me ujë, kështu u detyruan të kthehen në Shqipëri.
Dënimet
- Aleks Memaj – 15 vjet, me gjykim të shkurtuar 10 vjet
- Saimir Kurti – 13 vjet, me gjykim të shkurtuar 8 vjet e 8 muaj
- Erind Hysomemaj – 12 vjet, me gjykim të shkurtuar8 vjet
- Klajdi Ademi (Hysomemaj) – 12 vjet, me gjykim të shkurtuar 8 vjet
- Toni Kushi – 12 vjet, me gjykim të shkurtuar 8 vjet
- Mariglen Çaçi – 12, me gjykim të shkurtuar 8 vjet
- Aleksandër Neço – 12 vjet, me gjykim të shkurtuar 8 vjet
- Çezar Xhomemo – 3 vjet, me gjykim të shkurtuar 2 vjet (lirohet, ka mbyll dënimin)
- Shkëlzen Kamberi – 12 vjet, me gjykim të shkurtuar 8 vjet
- Malton Lleshi – 12 vjet, me gjykim të shkurtuar 8 vjet
- Luan Zylyftari – I pafajshëm (akuzohej për kultivim narkotikësh & grup i strukturuar kriminal)
- Artan Zylyftari – 8 vjet, me gjykim të shkurtuar 5 vite e 4 muaj burg
- Geri Zylyftari – 8 vjet burg, me gjykim të shkurtuar 5 vite e 4 muaj burg
- Erind Zylyftari – 8 vjet burg, me gjykim të shkurtuar 5 vite e 4 muaj burg
- Ilir Gaba – 8 vjet, me gjykim të shkurtuar 5 vite e 4 muaj burg
- Festim Lelaj – 3 vjet, me gjykim të shkurtuar 2 vjet burg
Operacioni “Shpirti” u zhvillua 2 vite më parë, në korrik 2021, ku u goditën disa grupe kriminale. Hetimi i autoriteteve italiane për 5 vite me radhë çoi në pranga 38 persona. Në atë kohë u sekuestruan 4 milionë euro pasuri. Ishin 4 bashkëpunëtorët e drejtësisë që rrëfyen para autoriteteve italiane se si ishte bërë trafikimi i drogës nga Shqipëria drejt Italisë.
Si kokë të grupit konsideronin Ilirjan Duçellarin. Mes të arrestuarve kishte punonjës policie dhe 2 shoqëruesit e Saimir Tahirit, Agustin Deda dhe Hekuran Marku. Çështja për personat e tjerë që po gjykohen është ndarë për shkak se disa kanë shkuar me gjykim të zakonshëm dhe disa të tjerë është pushuar. “Shpirti” erdhi pas 2 operacioneve të mëparshme të koduar “Shefi” dhe “Kulmi” të zhvilluar në vitet 2018 dhe 2020.


