SPAK ka zhvilluar një operacion të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike dhe pastrim parash përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe biznese.
Sipas vendimit të Gjykatës së datës 10 qershor, janë ekzekutuar sekuestrime që kapin vlerën totale mbi 128 milionë euro, të depozituara në llogarinë e noteres Amela Mukaj. Këto fonde dyshohet se janë përdorur në disa transaksione të shitblerjes së tokave në zonën e Zvërnecit.
Hetimet e SPAK dyshohet se janë mbështetur në përgjime që dokumentojnë komunikimet mes anëtarëve të grupit kriminal të drejtuar nga vëllezërit Koçeku, të cilat kanë shërbyer si bazë për identifikimin e rrjetit të dyshuar të pastrimit të parave.
Në kuadër të hetimeve, në fokus është edhe biznesmeni Artur Shehu, i cili zotëron një pjesë të konsiderueshme të pronave në zonën e Zvërnecit dhe dyshohet për përfshirje në skema financiare të lidhura me këtë aktivitet.
Ndërkohë, mes personave të ndaluar figuron edhe Orgest Biçaj, pronar i kompanisë së makinave luksoze “Top Seven”. Sipas burimeve hetimore, automjetet e kësaj kompanie po i nënshtrohen sekuestrimit si pjesë e hetimeve për pastrim parash.
Autoritetet bëjnë me dije se operacioni është ende në zhvillim dhe pritet zgjerim i mëtejshëm i hetimeve për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe asetet e përfshira.


