Është 17 vjeçe, ndjek çdo ditë mësimin tek gjimnazi “Petro Nini Luarasi” në Tiranë dhe si shumë bashkëmoshatare të saj, dëgjon MC Kreshën dhe Ledri Vulën, por edhe Elina Dunin.
Rea Nuhu u bëri përshtypje shumë njerëzve kur e panë në performancën prezantuese të “Pa faj” tek “E Diela Shqiptare”, të këndonte me tuta. E ftuar në “Jo vetëm modë”, ish-konkurrentja e Gjeniut shpjegon se në momentin e fundit, mori një vendim të papritur.
“Ka qenë rastësi. Ditën që kisha prezantimin kisha veshur një fustan. Kastro ishte veshur shumë casual, si një baba trendy, siç është Kastro në jetën e përditshme. Unë kisha një fustan klasik dhe ishte një kontrast shumë i madh. Unë kisha veshur rrobat e provave. Pasi bëmë një provë me fustanin, e pamë që s’bënte ashtu. Kështu që shkova dhe dola me rrobat e provave.”
Shumë njerëz kanë menduar se Rea, me një model flokësh të shkujdesur, kishte zgjedhur qëllimisht të vishte tuta, duke qenë se kënga është një baladë për marrëdhënien atë-bijë dhe përcjell mesazh më shumë se performancë vizuale.




