Si rrallëherë në historinë dhe traditën 20 vjeçare të mediave televizive private në Shqipëri, “merkatoja” e dimrit duket të jetë më e madhe dhe më e thellë se ajo e verës. Pra, ka më shumë lëvizje dhe ndryshime drejtuesish të televizioneve të rëndësishme jnë bërë tani në janar në mesin e sezonit, sesa në gusht apo në shtator, kur fillon realisht sezoni i ri televiziv. Ndryshimet kanë prekur televizionet kryesore në vend, më shumë këto ditë të para të 2018, sa pothuajse gjatë gjithë 2017 që ishte edhe një vit elektoral.
Kjo do të thotë se efektet e këtyre ndryshimeve, megjithëse jo me lidhje të drejtpërdrejta, duken si efekte post elektorale. Ku pronarët e televizioneve, duket se po ripozicionojnë qëndrimet e tyre editoriale në raport me politikën në tërësi dhe me mazhorancën apo opozitën në veçanti, në fillim të këtij katërvjeçari të një mandati të ri politik. 2018 pritet të ketë zhvillime shumë të rëndësishme në klasën politike dhe elitën e vendit, po të kemi parasysh se fillon zbatimi I efekteve të reformës së thellë në drejtësi. Mediat pritet të kenë një rol kyç në përcjelljen e këtyre zhvillimeve.
Në mungesë të një tregu 100% formal, ku përcaktuesi në suksesin apo dështimin e një gazetari, një departamenti, një media apo një emisioni është kërkesë oferta, që do të thotë shikueshmëria, ndikimi në opinion dhe fatura financiare e reklamave që ajo arrin të gjenerojë, duket se përcaktuese në një masë jo të vogël këtë radhë, mund të ketë pikërisht raporti me tregun politik, nga i cili jo rrallëherë gjenerohen interesat financiare,- por jo vetëm,- të botuesve.
Lëvizjet e “merkatos” së janarit janë:
- Nga “Top Channel” u largua Sokol Balla si drejtor i Departamentit të Informacionit dhe drejtues i emisionit “Top Story”.
- Në vendin e tij si drejtor lajmesh është emëruar Endri Xhafo, deri pak kohë më parë spiker lajmesh në “ABC News”.
- Në vend të Ballës, emisionin e debatit politik të së enjtes në “Top Channel” do ta drejtojë Ylli Rakipi, që vjen me emisionin e tij “Të paekspozuarit” “TPZ”.
- Në televizionin “Vizion +” Sokol Balla është emëruar drejtor Ekzekutiv I këtij televizioni e ku do të drejtojë edhe emisionin e e ti të debatit politik “Real Story”.
- Nga televizioni “News 24” u largua Ylli Rakipi i cili ka patur një peshë jo të vogël këto muaj në këtë ekran. Pritet të shohim se kush mund ta zëvendësojë në ditët në vijim.
Alpenews.al