Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka urdhëruar heqjen e të gjitha posterave të subjekteve politike në të gjithë Shqipërinë, pasi sipas këtij institucioni, asnjëra prej tyre nuk i ka plotësuar kërkesat dhe kushtet, që parasheh Kodi Zgjedhor.
“Ne do urdhërojmë të hiqen materialet propagandistike të kujtdo subjekti zgjedhor që s’përmbajnë shënimin “Prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të subjektit zgjedhor. Urdhërohet policia bashkiake të heqë këto postera”- ka thënë Celibashi.
Në këto kushte, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i ka kërkuar Policisë Bashkiake dhe asaj të Shtetit, t’i heqë menjëherë ato, në të gjitha bashkitë e vendit. Përgjegjësia për largimin e tyre tashmë i kalon automatikisht Policisë, e cila do duhet të raportojë për rezultatin pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri të premten në orën 24:00.


