Mbështetja e Rusisë në dronët e prodhuar nga Irani për sulmet ndaj objektivave ukrainase tregon “falimentimin” e Moskës në nivel ushtarak dhe politik, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sipas Kievit, sulmet e fundit ruse ndaj infrastrukturës në Ukrainë u kryen nga dronët kamikaze Shahed-136 të prodhuar nga Irani.
Irani mohon të ketë furnizuar Rusinë me mjete ajrore pa pilot (UAV), diçka për të cilën Shtëpia e Bardhë thotë se nuk është e vërtetë. Kremlini tha të martën se nuk kishte asnjë informacion në lidhje me përdorimin e dronëve të prodhuar nga Irani në sulmet në Ukrainë.
“Le të kemi parasysh se vetë fakti që Rusia i kërkoi Iranit ndihmë do të thotë se Kremlini ka falimentuar” ushtarakisht dhe politikisht, tha Zelensky në një videomesazh, duke shpjeguar: “Për dekada ata shpenzuan miliarda dollarë për industrinë e tyre të mbrojtjes.
Dhe së fundmi, ata iu përkulën Teheranit për të siguruar dronët dhe raketat ”.
Volodymyr Zelensky, i cili ka thënë se 30% e termocentraleve të Ukrainës janë dëmtuar për shkak të sulmeve të fundit, gjithashtu tha se përdorimi i dronëve të prodhuar nga Irani mund të krijojë shpresa dhe iluzione për udhëheqësit rusë, por që në fund nuk do të jetë efektive.


