Industria e peshkimit nuk ka të ndalur, pas boom-it të madh që po përjeton, gjatë viteve të fundit në Shqipëri. Këtë e vërtetojnë jo vetëm rritja e eskporteve, shumëfishimi i vendeve të punës, por edhe shtimi i flotës private dhe investimeve.
Sot në det sapo është hedhur një super anije e re peshkimi e kompanisë “Rozafa”, e cila është tashme jo vetëm lidere në tregun shqiptar, por po bëhet një faktor gjithmonë e më i rëndësishëm edhe në tregun ndërkombëtar.
I vlerësuar nga shumëkush si “Bossi i peshkut”, Gjergj Luca e ka pagëzuar “Rozafa 23” me emrin e vajzës së tij më të vogël: “Sherri”. Një emër fatsjellës, që e bën anijen më të re, “Princeshën” e Flotës Shqiptare të Peshkimit.
Kjo anije që u nis nga Turqia drejt ujërave të Mesdheut për në brigjet dhe portet tona, ka një personel prej 30 profesionistësh dhe me një kapacitet prej plot 250 ton peshku në bord.
Ky investim i jashtëzakonshëm, do të ndihmojë në rritjen e mëtejshme të industrisë së peshkimit në Shqipëri, e cila po ringjallet duke u bërë çdo ditë një kolonë e rëndësishme e ekonomisë kombëtare, nëpërmjet modernizimit dhe rritjes së konkurueshmërisë. Zgjerimi i eksporteve të peshkimi me katër fishim në pesë vite ka rritur edhe punësimin në këtë sektor. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se numri e të punësuarve në industrinë e peshkimit kaloi nga 2 200 persona që ishin në 2013, në rreth 8 200 persona në 2018.
Kompania e Lucës zotërton edhe një superanije tjetër “Rozafa”, e cila konsiderohet si “Admiralja” e flotës sonë të peshkimit e që ka kushtuar mbi 4,5 milionë euro. Ekuipazhi i saj është i gjithi turk përveç një shqiptari dhe varion nga 30 deri në 36 vetë kur dilet për gjueti toni pranë brigjeve të Maltës.
I gjithë truri i mjetit lundrues është një sistem i sofistikuar sonarësh prodhim japonez qe kushton mbi 2 milion euro. Gjergj Luca, pronari i anijes shprehet se sonarët mund të zbulojnë tufat e peshkut, deri në 10 milje larg duke treguar se në këtë epokë të zhvillimit të teknologjive, asgjë nuk mund ti lihet më në dorë rastësisë për hedhjen rrjetave.
“Bossi i peshkut” Gjergj Luca ka ndërtuar tashmë një “perandori” dhe nuk ka ndërmend të ndalet. Kjo pasi sot, një tjetër anije e re e Rozafës u hodh në det.
E shihni tek video si mëposhtë:
Përgatiti: Alpenews.al



