Policia po mbledh prova të reja për të zbardhur rrethanat e ngjarjes së rëndë në Athinë, ku 50-vjeçari Altin Allmuça vrau të dashurën 45-vjeçare dhe më pas kreu vetëvrasje.
Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë marrëdhënien mes dy personave dhe motivin e krimit. Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, Allmuça ishte i martuar dhe baba i një fëmije. Gruaja e tij mësohet t’u ketë thënë autoriteteve se nuk kishte dijeni për marrëdhënien e bashkëshortit me viktimën.
Policia po shqyrton provat që tregojnë se mes 50-vjeçarit dhe 45-vjeçares mund të ketë pasur një marrëdhënie personale, ndërsa natyra, kohëzgjatja dhe dinamika e saj nuk janë përcaktuar ende.
Në kuadër të hetimeve, policia ka kontrolluar banesën e Allmuçës në Tavros, në kërkim të provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e marrëdhënies mes tyre dhe përgatitjen e krimit.
Në fokus janë pajisjet elektronike, dokumentet dhe sende të tjera që mund të ndihmojnë në rindërtimin e lëvizjeve të tij para ngjarjes.
Gjithashtu, po analizohen telefonat celularë dhe aktiviteti online i dy personave, për të përcaktuar nëse ka pasur komunikime, takime apo konflikte para vrasjes.
Sipas hetimeve paraprake, 50-vjeçari shqiptar dyshohet se kishte ngritur një kurth për 45-vjeçaren dhe e priste jashtë banesës së vajzës së saj. Pasi e qëlloi për vdekje, ai përdori të njëjtën armë për t’i dhënë fund jetës.
Ndërkohë:
“Nuk di asgjë, ajo nuk më kishte thënë asgjë.” Janë këto fjalët e nënës së 45-vjeçares shqiptare, e cila u ekzekutua mëngjesin e së dielës në Nea Smyrni të Athinës nga një 48-vjeçar, i cili më pas vrau veten.
E moshuara tregoi se e mësoi lajmin tragjik për vrasjen e vajzës së saj përmes një telefonate paniku nga vajza tjetër. Me zërin që i dridhej, ajo u shpreh se viktima nuk i kishte treguar kurrë për ndonjë lidhje romantike apo probleme me autorin, ndërsa shtoi se ajo dhe ish-bashkëshorti i saj ishin ndarë shumë kohë më parë.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 05:30 të mëngjesit jashtë pallatit ku 45-vjeçarja jetonte së bashku me vajzën e saj 16-vjeçare. Autori 48-vjeçar, gjithashtu shqiptar, i kishte ngritur një pritë të mirëmenduar duke e pritur në automjetin e tij. Sapo viktima ka dalë nga ndërtesa, ai i është afruar dhe e ka qëlluar për vdekje me armë, para se të drejtonte armën nga vetja dhe të qëllonte në kokë.
Banorët e zonës dëgjuan tre të shtëna të forta brenda pak sekondash, të cilat u pasuan nga mbërritja e menjëhershme e forcave të policisë.
Ndërkohë, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar ka marrë çështjen në dorë për të zbardhur motivet e krimit dhe për të kuptuar natyrën e saktë të marrëdhënies mes tyre, pasi nuk rezulton të kenë qenë të martuar. Autoritetet po ekzaminojnë gjithashtu profilin e autorit në rrjetet sociale, ku ai kishte postuar fotografi duke pozuar me armë zjarri.


