Liridon Peka, me profesion farmacist së bashku me një tjetër person të pa identifikuar, për prokurorinë e Tiranës dyshohen se kanë vënë në jetë një skemë të mashtrimit të qytetarëve, duke përdorur rrjetet sociale. Mekanizmi që ata përdornin u zbardh gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Tiranës. Prokuroria ka ngritur akuzën e mashtrimit ndaj 28-vjeçarit, dhe pretendon se përfituar 100 mijë eurove duke mashtruar shtetas nga Kosova.
Nga hetimet është zbuluar se ky aktivitet kryhej nga Peka, gjatë kohës që ishte në masë sigurie arrest në shtëpi, për po të njëjtën akuzë të mashtrimit kompjuterit. Personat që mashtronte, të cilët paratë i nisnin përmes kompanive të transfertave të valutave, i dërgonin në emër të një 85-vjeçari dhe familjarëve të tij. Ata ishin 9 persona në total, mes tyre edhe shokët që luante domino, që kryenin tërheqjen e parave.
Sipas prokurorisë, Peka i kishte borxh 25 mijë euro të moshuarit me emrin Llazar dhe kishin rënë dakord që këtë shumë ta shlyente pak nga pak duke bërë tërheqjet pranë kompanive të transfertave. Nga 25 mijë euro, ishin marrë pas vetëm 10 mijë.
Verifikimet për këtë rast nisën një vit më parë, pas kallëzimit të një shtetasi kosovar, në policinë e Prishtinës. Ai pretendoi se i kishte dërguar para nipit të tij, pas mesazhit në rrjetin social, por kur e telefonoi ta pyeste nëse i kishte tërhequr lekët ai iu përgjigj që nuk i kishte kërkuar ndonjëherë diçka të tillë. Shumat që kryesisht kërkoheshin nga Peka ishin nga 1000 deri në 1500 euro.Prokuroria pretendon se ka prova të mjaftueshme për të implikuar Liridon Pekën në këtë veprimtari, përfshirë këtu komunikimet e tij me 85-vjeçarin që i kishte borxh, po ashtu edhe dhe deklarimet e tij. Por, të kundërtën pretendon vetë ai dhe mbrojtësi ligjor, sipas të cilëve nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë kriminale. Liridon Peka pretendon se pas kësaj skeme fshihen persona të tjerë, por para gjykatës i riu nuk ka treguar emra të dyshuarish. I riu u la në arrest me burg pa afat.