Banesa e Aurel Hoxhallarit, i shpallur në kërkim nga policia si personi që ka organizuar dhe porositur vrasjen e Devi Kasmit, vijon të qëndrojë e rrethuar si skenë krimi nga uniformat blu.
Brenda vilës luksoze në Kodër Mëzes, siç bën me dije gazetarja Dorjana Bezat për “BalkanWeb” policia po kërkon prova e po mbledh gjurmë gishtërinjsh, për të mësuar kush e ka përdorur.
Referuar burimeve policore, Bezat konfirmon për “BalkanWeb” se policia po heton për të dalë në konkluzionin nëse është përdorur apo jo edhe për pengmarrje banesa në fjalë.
Kujtojmë se brenda vilës u gjentën një arsenal i vërtetë armësh, si snajpera, automatikë, pistoleta, mina me telekomante e deri te raketahedhës. Këto armë theksojnë burime nga policia e kryeqyteti, dyshohen se mund të jenë përdorur edhe në disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në vend gjatë dy viteve të fundit, prandaj grupi hetimor i ka dërguar për kqyrje balistike pranë laboratorit të policisë shkencore për të ekzaminuar nëse ato armë përputhen me krimet e pazbardhura të ndodhura në Tiranë, Vlorë, Durrës apo edhe në Shkodër.
Bezat konfirmon gjithashtu se policia ka prishur tavanin dhe muret e banesës për të parë nëse anëtarët e bandës kanë fshehur gjë brenda saj.
Anëtarët e bandës, Altin (Aurel) Hoxhallari (në kërkim), Elton Halipaj, Malvin Dinellari, Elton Hoxhallari e përdornin banesën si bazën e aktiviteteve të tyre kriminale.




