Në procesin ndaj Ilir Selmanit dhe Elvis Gacaj në gjykatën e Posacme u shfaqën pamjet filmike të momentit të vrasjes së Santiago Malkos, ish-punonjës policie që njihej si krahu i djathtë i Ervis Martinaj, mbretit të bixhozit që është zhdukur pa gjurmë prej muajsh.
Në seancën gjyqësore ndaj dy të pandehurve u panë pamjet e filmuara nga disa kamera sigurie ku tregohen lëvizjet e viktimës dhe të autorëve të dyshuar, dhe se si ndiqet Malko derisa ekzekutohet në rrugën “Xhanfize Keko”.
Santjago Malko u qëllua për vdekje mbrëmjen e 28 gusht 2019 dhe për ekzekutimin e tij akuzohen nga SPAK si organizatorë vëllezërit Leonard e Erlis Duka, të cilët kishin përplasje me Ervis Martinaj dhe kur dështuan të vrisnin atë vendosën të ekzekutonin Malkon, që e konsideronin si njeriun e tij të afërt. Ndërsa si ekzekutor, SPAK akuzon Fatmir Hysenin nga Vlora, i njohur si me nofkën “Doxha”. Këta të pandehur janë duke u gjykuar në një proces të ndarë, për shkak se të gjithë janë në arrati. Ndërsa më herët për të njëjtin krim është dënuar Blendi Teta, i cili ka pasur rolin e vëzhguesit në ngjarje.