Një 29-vjeçare i është drejtuar për ndihmë Policisë së Tiranës, pasi prej afro një jave ka humbur kontaktet me bashkëshortin. Burime nga Policia thanë se shtetasja me iniciale L.M. ka depozituar të shtunën një kallëzim në Komisariatin Nr.2, pasi i është larguar nga banesa i shoqi, me të cilin që prej datës 1 korrik i ka humbur të gjitha kontaktet. Në kallëzimin e saj 29-vjeçarja ka deklaruar se bashkëshorti është larguar nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë më datë 26 qershor të këtij viti.
Prej kësaj date dhe për disa ditë me radhë ajo ka biseduar vazhdimisht me të dhe ai i ka konfirmuar mbërritjen në Gjermani. Por më pas, prej datës 1 korrik nuk ka arritur të bisedojë më me të në telefon. E shqetësuar se mund t’i ketë ndodhur diçka, shtetasja L.M. ka shkuar në Komisariatin Nr.2, ku ka depozituar kallëzimin.
“Shtetasja L.M, 29 vjeçe, banuese në Tiranë, kallëzon se më datë 23.06.2018 është larguar nga banesa në drejtim të Gjermanisë bashkëshorti G.M., 31 vjeç, dhe prej datës 01.07.2018 i ka humbur kontaktet në telefon me të. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë”, tha dje Policia.