Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dy ditë më parë njoftoi me postë të 57 kandidatët nga listat e PD dhe LSI, të dorëzojnë formularët e vetdeklarimit. Këtë hap KQZ e ndërmori pas dorëheqjes së anëtarëve të opozitës, të cilët ishin pjesë e Parlamentit dhe pas krijimit të vakancave. Pas këtij vendimi, mësohet se LSI-ja po përballet me “rrjedhje” kandidatësh.
Kandidati i LSI-së në Elbasan, i cili ishte në listë pritëse, Enver Roshi ka pranuar mandatin. Roshi sapo ka dorëzuar formularin e vetdeklarimit në KQZ. Kujtojmë këtu se edhe katër deputetë të tjerë, nga PD dhe LSI, nuk i kanë dorëzuar ende mandatet, përkatësisht Lefter Koka dhe Robert Bitri, Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari, të cilët së bashku me Enver Roshin, e çojnë në 82 numrin aktual të deputetëve në parlament. Por, nga ana tjetër edhe PD po has probleme në qarqe.
Rreth 15 kandidatë të PD-së, që janë në listat pritëse, nuk pranojnë të dorëzojnë dorëheqjen dhe me shumë gjasa pritet që të dorëzojnë formularin në KQZ dhe të marrin mandatin e deputetit. Kjo do të conte në krijimin e një opozite të re, dhe numri i deputetëve në Parlament do të arrinte në rreth 95, nga 140 vende që janë në total. CNA.al


