Ka nisur mbledhja e parë e Komisionit të Posaçëm Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Kryetari i Komisionit është Alket Hyseni, i cili në fjalën e tij u shpreh se 49 deputetë kanë bërë kërkesë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Ai u shpreh se Komisioni do të hetojë nëse Presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke thënë se vendimet do merren vetëm në bazë të Kushtetutës.
“Mbledhja e parë e komisionit thirret menjëherë tre ditë pas marrjes së vendimit për ngritjen e tij. Doja të theksoja që ky është një rast i veçantë për parlamentarizmin tonë, pasi është hera e parë që kërkohet drejtëpërdrejtë shkarkimi i presidentit të republikës, nga 49 deputetë firmëtarë. Puna jonë është puna e një eksperti, që do të bazohet në prova, përtej politikës do bazohemi vetëm në Kushtetutë.
Në këtë këndvështrim, përtej anës tonë politike, do të bazohemi në zbatimin e ligjit. Presidenti i Republikës, nga afati i njoftuar nga komisioni i ligjeve nuk u paraqit. Më tej komisioni i ligjeve i paraqiti një komision parlamentit, dhe ky i fundit mori vendimin e ngritjes së këtij Komisionit.
Objekti i këtij komisioni është:
A- Hetimi dhe verifikimi nëse aktet e kryera dhe deklaratat e dhëna nga Presidenti gjatë periudhës përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, si dhe në ditën e heshtjet zgjedhore përbëjnë shkelje të rëndë kushtetuese;
B- Verifikimi i pasojave të këtyre akteve në raport me unitetin e popullit, prishjen e qetësisë publike, nxitjen e urrejtjes dhe dhunës, vënien në rrezik të jetës së njerëzve, ndërhyrjen dhe intimidimin e institucioneve publike;
C-Verifikimi i akteve, sjelljeve dhe qëndrimeve të caktuara të Presidentit të raport me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese,” tha Hyseni.