Policia ka dhënë detaje të reja lidhur me të shtënat që terrorizuan banorët e Kamëz këtë mbrëmje, por fatmirësisht pa të lënduar. Sipas Policisë një 18-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një servis celularësh, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Menjëherë pas njoftimit policia është vënë në ndjekje të autorit, i cili është arrestuar 3 km larg vendit të ngjarjes.
“Rreth orës 20:25, në Babrru, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një subjekti të mbyllur (servis celularësh), dhe më pas autori është larguar nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, i janë vënë në ndjekje autorit të dyshuar dhe, rreth 3 km larg vendit të ngjarjes, kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit R. M., rreth 18 vjeç, për veprime të mëtejshme procedurale. Aktualisht, nuk ka të dhëna për persona të dëmtuar/lënduar”, njofton Policia.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të tij.
Policia njofton gjithashtu se në përfundim të hetimeve do të jepet një njoftim më i plotë për rastin.


