Dy janë pistat kryesore në të cilat po heton policia italiane lidhur me vrasjen dhe masakrimin e trupave të çiftit Teuta dhe Shpëtim Pasho në Itali. E para lidhet me të shkuarën e djalit të tyre dhe e dyta me mosmarrëveshjet në familje, e pranuar kjo edhe nga vajza në një lidhje për Report Tv në emisionin ‘Pa Gjurmë’ më 2 shkurt.
Nënkolonel Carmine Rosciano, komandant i departamentit operativ të Karabinierëve në Firence ka krijuar skemë që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të motiveve të vrasjes. Çifti ka tre fëmijë dy vajza, Dorina dhe Viktoria dhe një djalë, Taulanti ky i fundit me precedent penal. Ai u arrestua në moshën 28-vjeçare dhe u burgos në burgun Sollicciano, në zonën ku dhe u gjetën 4 valixhet me trupat e masakruar të prindërve të tij.
Skema e krijuar nga Nënkolonel Carmine Rosciano
Sipas mediave italiane, Taulanti lirohet nga burgu më 2 nëntor 2015, një datë e rëndësishme për grupin e hetuesve. Pse? Sepse është e njëjta ditë që çifti Pasho zhduket. Në qershor të vitit 2016, Taulanti arrestohet sërish për posedim të një sasie të madhe marijuanë. Për këtë ai dënohet me arrest shtëpie, por pas 15 ditësh ai arratiset dhe vijon të jetë ende në arrati. Nisur nga kjo, pista kryesore në të cilën hetohet janë pikërisht hakmarrja për prishje të pazareve të drogës. Gjetja e trupave pranë burgut ku kryente dënimin djali, zhdukja pikërisht në ditën që ai u lirua dhe nisur nga të dhënat e tij penale që rezulton një “tregtar profesionit i drogës”, sipas hetuesve bëhet fjalë për një përplasje mes bandave rivale e cila ka shkuar deri te familja.
Pista tjetër është ajo e mosmarrëveshjeve brenda familjes, edhe pse referuar ekzekutimit të çiftit, vështirë të besohet se ajo mund të jetë bërë nga ndonjë nga anëtarët e familjes. Koloneli tha se një nga vajzat raportoi se nuk kishte komunikuar me prindërit dhe nuk dinte asgjë prej tyre prej 6 ditësh. Komunikimi i fundit me ta ishte bërë në 2 nëntor, ndërsa vajza denoncimin e vëri më 5 nëntor të vitit 2015.
Si ishte historia?
Referuar mediave italiane, gruaja është rrahur barbarisht ku kishte shumë hematoma në fytyrë dhe shumë kocka të thyera, dëmtime që dyshohet se i kanë shkaktuar vdekjen. Ndërkohë, burri ka pasur një çarje në fyt. Mbetjet trupore të viktimave ishin mbështjellë me celofan dhe najloni, të gjitha të lidhura me shirit ngjitës dhe “të mbrojtura” nga një lloj paketimi. Një tatuazh spirancë me emrin e një qyteti shqiptar ndihmoi në hetimet për identifikimin e çiftit. Së pari u gjet një valixhe me bustin dhe një këmbë të burrit, pastaj një me gjymtyrët e poshtme të gruas dhe në fund valixhja e tretë me bustin e saj. Pjesa tjetër, gjymtyrët e poshtme të burrit, ishin fshehur në valixhen e katërt, e cila u gjet ditën e djeshme. Nga krahasimi i parë që i është bërë gjurmëve të gishtërinjve të kufomës, kanë rezultuar se korrespondojnë me gjurmët e gishtërinjve të Shpëtim Pashos, ndërsa rrjedhimisht mendohet se gruaja është pikërisht bashkoshortja e tij.



