Komisioni i Pavarur i Kualifikimit jep vendimin për gjyqtarin Fatmir Hoxha, duke e shkarkuar nga detyra, si pasojë e mos justifikimit të pasurisë.
PASURIA
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Fatmir Hoxha nga viti 2003, kur ka deklaruar pasurinë për herë të parë, deri në vitin 2017. Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Hoxha zotëronte në vitin 2003 një pasuri familjare me vlerë 1.7 milionë lekë. Ndërsa në vitin 2017, pasuria e zotit Hoxha është rreth 23.2 milionë lekë ose 13 herë më e lartë.
Rritja e pasurisë familjare të zotit Hoxha vjen kryesisht nga blerja e një apartamenti në Tiranë në vitin 2011 për rreth 140 mijë euro. Sipas të dhënave të deklaruara prej tij në ILDKPKI, Hoxha ka ende borxhe të pashlyera për blerjen e kësaj pasurie.
Të ardhurat familjare të deklaruara nga zoti Hoxha vijnë kryesisht nga paga e tij si gjyqtar në masën 77.4 për qind, nga paga e bashkëshortes 13.7 për qind, nga shitja e një apartamenti në Shkodër dhe e një automjeti 5.9 për qind si dhe të ardhura nga interesa bankare në masën 2.9 për qind.


