Sipas një raporti nga Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali, Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së sasive të lëndëve narkotike që kanë si destinacion tregjet italiane dhe evropiane.
Padyshim që droga është kthyer në një “ZGJIDHJE” të madhe për shumë shqiptarë për tu bërë milionerë apo edhe nga ata që detyrohen për të mbijetuar.
Jo vetëm transporti dhe shitja e lëndëve narkotike jashtë vendit, që sigurisht ka fitime më të mëdha por edhe trafiku i tyre brenda vendit. Është kthyer në modë tashmë kthimi i bizneseve nga të ligjshme në biznese të paligjshme droge lojrash fati etj…
Vetëm ditën e sotme policia ka arrestuar një pronar biznesi në Kavajë dhe tre punëtorë të një picerie në Tiranë për trafik të lëndëve narkotike të llojit kokainë. Në të dy rastet shtetasit e arrestuar përdornin biznesin për t’ju shmangur kontrolleve policore dhe për thjeshtësimin e “punës” së tyre. Ndoshta një “trend” i asrdhur nga jashtë vendit pasi pak kohë më parë në Itali u vendosën në pranga tre shtetas shqiptarë, mes tyre edhe një femër, të cilët dy biznese “Bar Piceri”, i kishin kthyer në “tregje” kokaine ku shitej e shërbehej aq thjesht sikur të merje një picë.
RASTI 1
Një pronar i një pike llotoje në Kavajë është arrestuar nga policia për “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike” dhe “Organizim i lotarive të palejuara”.
Sekuestrohet lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë, peshore elektronike, municion luftarak, kompjuterë lojërash fati, aparate celular, mjet, një sasi lekësh dhe dollar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe “Shigjeta”, në kuadër të operacionit policor të koduar “Basti i Fundit”, arrestuan në flagrancë shtetasin:
– Erti Kadiu, 31 vjeç, banues në Kavajë (pronar i një pike lotoje).
Shërbimet e Policisë Kavajë, ishin në ndjekje të këtij shtetasi, pasi dispononin informacion se ky shtetas në pikën e tij të llotos ushtronte aktivitet të kundraligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe gjatë kontrollit të ushtruar ditën e djeshme në pikën e llotos së këtij shtetasi u gjetën doza lënde narkotike të dyshuar e llojit Kokainë, peshore elektronike, municion luftarak dhe kompjuterë për ushtrim lojërash fati pa leje.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale :
– 4 kompjuterë lojërash fati
– 21 doza lënde narkotike e dyshuar Kokainë
– 45 fishekë model 56
– 15 fishekë model “Parabelium”
– 9 fishekë model 54
– një sasi në lekë dhe dollarë
– peshore elektronike
– 6 aparate celularë
– mjeti tip “Ford”
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe disa dokumente shtetërore të dyshuara të falsifikuara.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, parashikuar nga nenet 197, 283 dhe 278 të Kodit Penal.
RASTI 2
Tre pjesëtarë të një grupi të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet, janë vënë në pranga ditën e djeshme. Mësohet se tre të arrestuarit Gersi Çeça, 28 vjeç, Renaldo Dalipi, 25 vjeç, dhe Albian Avdo, 27 vjeç, të tre banues në Tiranë, kishin gjetur një mënyrë të veçantë për shpërndarjen e lëndës narkotike të llojit Kokainë.
Sipas policisë së Tiranës, tre të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin drogën në zona të ndryshme të Tiranës, dhe për të shmangur kontrollet e Policisë shpërndarjen e lëndës narkotike e kryenin me motorrin e picerisë ku punonin.
“Nga Seksioni kundër Narkotikëve është orgnizuar puna për kapjen e tyre në flagrancë dhe më datë 11.07.2018, shtetasi RENALDO DALIPI është konstatuar duke lëvizur në rrugën “Gani Domi” me mjetin tip “Audi” dhe gjatë kontrollit të ushtruar në mjet nga shërbimet e Policisë i është gjetur një qese me lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë. Gjithashtu është ushtruar kontroll në picerinë ku të tre këta shtetas punonin ku dhe u bë ndalimi i dy bashkëpunëtorëve të tjerë (shtetasve Gersi Çeça dhe Albian Avdo)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sakaq, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– 200 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë
– Automjet tip “Audi”
– Motori i Picerisë
– Tre aparate celular
– Fishekë
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municioneve”.
AlpeNews.al




