Nëntë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në Shqipëri, në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se, deri në orën 14:00, në terren janë angazhuar qindra forca të strukturave të Mbrojtjes Civile, Forcave të Armatosura, Policisë, shërbimit zjarrfikës dhe strukturave të tjera. Nga ajri po operojnë 3 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e banesave dhe e jetës së qytetarëve.
Në Dajt, mbi tunelet e Qafë-Mollës, operacioni po vijon me 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga dy helikopterë. Në Priskë të Madhe janë angazhuar 15 efektivë dhe katër automjete zjarrfikëse. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Drenie të Patosit, zjarri është riaktivizuar dhe vijon puna për shuarjen e tij. Operacioni mbështetet edhe nga 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një autoambulancë.Në Krujë, operacionet vijojnë në lagjet Abaze dhe Bojë. Në Bojë janë evidentuar dy vatra dhe forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave. Një helikopter i Forcës Ajrore po ndërhyn nga ajri.
Në Përmet, vijon angazhimi në malin e Nëmerçkës dhe në malin Dhëmbel. Aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat. Një nga operacionet më të mëdha po zhvillohet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku janë angazhuar mbi 220 forca nga strukturat zjarrfikëse, bashkia, Policia, shërbimi pyjor, vullnetarët dhe Forcat e Armatosura. Nga ajri po operojnë dy avionë Air Tractor, ndërsa ekipet janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen. Në malin e Moravës, Devoll, vatra është izoluar dhe po mbahet nën monitorim. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes thekson se prioriteti kryesor mbetet mbrojtja e jetës dhe banesave, izolimi i vatrave aktive dhe normalizimi i situatës.


