E ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Leyla Moses-Ones, vjen më një mesazh të qartë për Shqipërinë në lidhje me luftimin e krimit në vend.
E pranishme në aktivitetin e “Për një Shqipëri pa kanabis”, ku u publikuan rezultatet e luftës ndaj kanabisit, ajo theksoi se ka ende punë për t’u bërë për të luftuar krimin në vend. Moses-Ones listoi hapat që duhen të pasojnë, sipas saj, rezultatet e deritanishme.
“Duhen vendosur pengesa të tjera që trafikantët mos ta shohin Shqipërinë si vend lejimi, kapja e Kelment Balilit, Arbër Çekaj duhet të shërbejnë si gurë themeli për këtë përpjekje të gjatë. SHBA është me ju, por ne varemi nga vullneti juaj i mirë dhe përpjekjet tuaja për ta luftuar krimin. Ne jemi me ju që politika mos ta mbështesë këtë aktivitet të paligjshëm. Trafiku i drogës prodhon para të pista dhe këto furnizojnë krimin e organizuar, gangsterët të cilët më pas mund ta dobësojnë pushtetin. Shqipëria duhet t’i luftojë, arrestimet duhet të pasohen me konfiskim të pasurive të kriminelëve. Sulmimi i pastrimit të parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike është hapi tjetër në këtë luftë”, u shpreh Leyla Moses-Ones.


